TIRANEOperacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka reaguar pas dorëzimit të listës me kandidatët nga Avokatit të Popullit, i cili më herët njoftoi për përfundimin e procedurave nga komisioni i vlerësimit pranë Avokatet të Popullit për ngritjen e institucioneve të vettingut. ONM përshëndet punën e Avokatit të Popullit, ndërsa shprehet se janë shqyrtuar e dokumentet e certifikuara nga mbi 100 aplikues. Gjithashtu ONM thekson se vettingu ka një rëndësi historike.

Deklarata e plotë e ONM:
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndet përfundimin e aktiviteteve nga komisioni vlerësues në Zyrën e Avokatit të Popullit, në kuadrin e procesit për krijimin e institucioneve të vetingut. Gjatë ditëve të fundit, nën mbikëqyrjen nga afër të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së komisioni i vlerësimit ka shqyrtuar dorëzimet e dokumenteve të certifikuara nga mbi njëqind aplikues.

Pa paragjykuar vlerësimin e fundit procedural nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që aktualisht po përgatitet, bazuar në gjetjet fillestare, ONM-ja e lavdëron edhe një herë punën shumë të plotë, të saktë dhe profesionale të komisionit të vlerësimit pranë Zyrës së Avokatit të Popullit. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e tyre të aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me funksionin shqyrtues që pasoi thirrjen e parë dhe bazuar në kriteret e parashikuara në kuadrin përkatës legjislativ. ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani, për të proceduar me publikimin në kohë të një liste të konsoliduar kandidatësh që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të procedojnë tani me shqyrtimin e tyre të pavarur të të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, po të jetë nevoja, Avokatit të Popullit do t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar në mënyrë konfidenciale Kuvendit të Shqipërisë.

ONM konfirmon se kanë vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut. Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët e vendit meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme. ONM-ja po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: