Nga: Ornela Manjani

Në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ka nisur kompensimi fizik dhe financiar për vendimet e dhëna në vitet 93-94. Pasi bëhet vlerësimi ekonomik nga agjencia dhe shpallja në buletinin e posaçëm, ish-pronarët mund të aplikojnë me një set minimal dokumentesh. “Janë thjesht dy deklarata noteriale ku deklarohet se nuk kanë përfituar nga ligji 7501, apo, nëse kanë përfituar ta deklarojnë këtë në forma të tjera kompensimi, gjatë kësaj periudhe 23-vjeçare të funksionimit të këtij procesi. Gjithashtu, edhe dy dokumente të tjera si akte trashëgimie apo prokurë e posaçme”, tha Sonila Qato për “TCH”. Deri tani janë vlerësuar dhe proceduar rreth 300 dosje, nga të cilat 34 kanë marrë kompensimin në masën 100%. Për tokën truall në momentin e shpronësimit do të bëhet kompensim financiar, ndërsa për atë bujqësore dhe pyjet kompensim fizik. “Kompensim financiar përfitojnë vendimet për kompensim që kanë njohur tokën truall në momentin e shpronësimit, ndërsa kompensim fizik do të trajtohen të gjitha tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat, të cilat janë njohur si të tilla me vendim komisioni në momentin e shpronësimit të tyre”, tha Qato. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka deri më tani në dispozicion një fond financiar prej 24 milionë dollarësh dhe fizik prej 23 mijë hektarësh. Që të dy fondet pritet të rriten gradualisht.

Plotësimi i dosjes
Ish-pronarët që presin kompensim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave duhet të dorëzojnë një dokument shtesë, deklaratë noteriale, e cila është parashikuar si ndryshim në një pikë të të gjithë formularëve. Në pikën katër të vendimit të qeverisë thuhet se në të gjithë formularët, që i bashkëlidhen vendimit, paragrafët e fundit ndryshohen, si më poshtë vijon: “marrje dijeni mbi efektet e formularit dhe dokumentacionit të paraqitur sipas kërkesave në këtë formular. Unë, i nënshkruari_, kam marrë dijeni dhe jam i vetëdijshëm se: a) Ky formular përbën dokument zyrtar që i drejtohet një organi shtetëror dhe i nënshtrohet verifikimit; b) Paraqitja e të dhënave të pavërteta, të pasakta ose fshehja e tyre sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga çdo procedurë e mëtejshme si dhe përgjegjësi penale sipas ligjit; c) Me plotësimin e këtij formulari kam dhënë pëlqimin dhe autorizoj ATP-në për verifikimin e plotë të çdo të dhëne, informacioni dhe dokumentacioni që shoqëron këtë formular; ç) Trajtimi i të dhënave do të kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”-thuhet në vendim. Më pas dokumenti noterial përcakton pasojat e deklarimit të rremë. “Duke qenë i vetëdijshëm për pasojat ligjore në rast të vetëdeklarimeve të pavërteta, të pasakta ose fshehjen e tyre konfirmoj saktësinë e të dhënave të pasqyruara në dokumentacionin e paraqitur sipas kërkesave në këtë formular”-thuhet në vendim. Qeveria ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.

Pagesat e përshpejtuara
Në ligji për pronat janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tre vjetësh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti pronari merr 20 % të vlerës së faturës, për pagesën brenda tre vjetëve merr 30 % dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjithë subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjithë subjektet kërkues, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar, pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: