NGA: ORNELA MANJANI
Agjencia e Trajtimit të Pronave çel fon din 244 milionë lekë për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Përfituesit janë 316 pronarë, në 5 qarqe të vendit. Për të përfituar kompensimin, pronarët duhet të plotësojnë pranë agjencisë formularin-tip dhe të dorëzojnë gjashtë dokumentet për të provuar të drejtën e tyre mbi pronën. Sipërfaqja e përgjithshme për shpronësim arrin në 20 mijë m².

APLIKIMET
“ATP-ja fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilave janë miratuar me VKM nr. 678, datë 28.09.2016, “Për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim nga fondi i ALUIZNI- t. ATP-ja ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me adresë: rruga ‘Muhamet Gjollesha’, Nr. 54, Tiranë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, çdo ditë, nga e hëna në të premte, ora 09:00-12:00″, thuhet në njoftimin e agjencisë, që mban firmën e drejtoreshës së ATP-së, Sonila Qato.

PLOTËSIMI I DOSJES
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2.000 lekësh dhe gjithashtu të hapin një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, ndërkohë që duhet të dorëzojnë edhe dokumentet si më poshtë.
1. Kërkesa- tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë ATP-së, të plotësuar sipas rubrikave.

2. Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

3. Prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre.

4. Vërtetimi origjinal, i lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës.

5. Fotokopja e dokumentit të identifikimit.

6. Certifikata familjare e kërkuesit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb