ELBASAN- Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Elbasan janë kundër prishjes së kishës katolike “Shën Piu X”.

Me anë të një letre drejtuar kryeministrit Rama, komunitetet fetare kërkojnë që kjo kishë të mos prishet. Komunitetet fetare shprehen edhe kundër vendimit të Gykatës së Lartë, e cila i kaloi truallin ku ngrihet kisha pronarit të tokës.

Që prej vjetësh, terreni në të cilin ngrihen kisha e Shën Piut X dhe Qendra baritore e Elbasanit, për të cilat kujdesen orioninët, kanë probleme gjyqësore për shkak të pronësisë së tokës. Gjithçka dukej se do të zgjidhej me anë të Komisionit të përbashkët ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Kishës Katolike, siç parashikohet nga Marrëveshja me Selinë e Shenjtë, ndërkaq, një trupë e Gjykatës së Lartë në Tiranë, e mbledhur më 5 shkurt, mori vendim përfundimtar, duke hedhur poshtë pretendimet e Kishës Katolike dhe të Avokaturës së Shtetit për çështjen. Vendimi, në çastin që bëhet zbatues, e detyron Kishën të lirojë terrenin nga ndërtimet, duke shkatërruar kështu kishën ‘Shën Piu X’ dhe Qendrën baritore, për t’ia kthyer të zotit.

Sipas komunikatës së Veprës së Don Orionit, terreni i është shitur Kishës Katolike para 20 vjetësh nga shteti shqiptar. Kisha dhe Qendra u ndërtuan pas marrjes së lejes së ndërtimit nga organet kompetente lokale. Përurimi i tyre u bë në vitin 1997. Në vitin 2007, një qytetar shqiptar kërkoi kthimin e pronës së vjetër të familjes së tij e Gjykata ia njohu. Kisha e Shën Piut X është e vetmja famulli katolike në një zonë prej 125 mijë banorësh e tani rrezikon të shkatërrohet, – denoncojnë orioninët.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: