TIRANË- Konfindustria ka shprehur sot shqetësimin për rënien e ndjeshme të të ardhurave nga tatim fitimi për dy mujorin e parë të 2015. Sipas konfindustrisë ekziston rreziku i dështimit të të gjithë politikave fiskale të ndjekura nga qeveria.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga rënia e ndjeshme e të ardhurave nga tatim fitimi për 2-mujorin e parë të vitit 2015 krahësimisht vitit pararendës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me rrezikun e dështimit të të gjithë politikave fiskale 2-vjeçare të ndjekura nga ekzekutivi shqiptar nën trysninë edhe të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Sipas të dhënave të institucioneve shtetërore në muajt janar- shkurt 2015 ka rënie te ndjeshme prej mbi 13% të të ardhurave nga tatim fitimi krahësimisht me vitin pararendës dhe mbi 30% ndaj planifikimit buxhetor.

Konfindustria vlerëson gjithashtu, se treguesit e mësipërm buxhetore paralajmërojnë qartësisht për rrezikun e dështimit të plotë edhe të recetave të FMN-së, të parashikuara në marrëveshjen e kredisë të vitit 2014 me qeverinë shqiptare.

Konfindustria vlerëson, se në një pjesë të madhe rënia e të ardhurave buxhetore për muajt e parë të vitit 2015, është pasoje e drejtpërdrejtë e politikës së rritjes në përgjithësi të ngarkesës taksore të shprehur në 2 paketa fiskale të njëpasnjëshme në vitet 2014-2015 për biznesin dhe qytetarët, përthyerjes me 50% të tatim fitimit për kategoritë e biznesit me qarkullim vjetor nën/mbi 8 milion lekë, kalimit “de facto’ nga sistemi i taksës së thjeshtë me bazë 10% në taksën e sheshtë 15%, etj.

“Konfindustria ka paraqitur me kohë, publikisht dhe në mënyrë të arsyetuar ekzekutivit shqiptar për rrezikun, që i paraqitet buxhetit të shtetit si dhe vetë qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit nga politikat e rritjes së ngarkesës tatimore për një ekonomi me: fshehje të të ardhurave fiskale në vlerën e afërt 50% të PBB, -pasoja të krizës globale, -kontroll fiskal hapësinor të dobët dhe – sistem gjyqësor problematik”, deklaron Buxhuku.

 

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb