Ky sezon për Arlind Ajetin me bluzën e Torinos konfirmohet si i pafat dhe kjo për ‘meritë’ të dëmtimeve që e kanë shoqëruar qendërmbrojtësin javë pas jave.
Në fillim një ndalesë e gjatë e cila e kushtëzoi të pushonte për gjysmën e parë të kampionatit, ndërsa tani i njëjti problem me pulpën e këmbës së djathtë do t’a mbaj larg fushave për një kohë të pacaktuar.

Ajeti vuan nga një shqetësim në muskulin e pulpës së djathtë dhe sipas asaj që raporton klubi i Torinos në ueb-faqen zyrtare, koha e rikuperimit do të vlerësohet ditë pas dite.

Kjo është një mundësi e humbur për qendërmbrojtësin e Kombëtares kuqezi. Duke qenë se Torinos i mungonin edhe mbrojtësit Kastan, Karlao e Molinaro, trajneri Sinisha Mihajloviç me shumë mundësi do t’i besonte Ajetit një fanellë titullari për transfertën e së dielës, por edhe për ndeshjet e mëtejshme. Gjatë këtyre javëve tekniku serbi pritej të krijonte një mendim më të qartë nëse do ta mbante futbollistin në ekip apo do ta largonte në merkaton e verës.

Ajeti ka luajtur vetëm katër ndeshje në Serinë A këtë sezon, tri prej të cilave si titullar, ku ka shënuar një gol në fitoren 5-3 ndaj Peskarës së Ledian Memushajt.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb