NGA: MIRA BREGU, OKB, GJENEVË
Teksa lufta ne Siri arrin një tjetër etapë sot, refugjatët që largohen nga konflikti pese vjeçar përballen sot me pengesa më të mëdha për të gjetur një vend të sigurt, ndërsa solidariteti ndërkombëtar me viktimat e saj nuk po arrin që të reflektojë shkallën dhe seriozitetin e tragjedisë humanitare. Ky është reagimi që vjen nga UNHCR teksa konflikti hyn ne vitin e gjashte. “Siria është kriza më e madhe humanitare dhe e refugjatëve e kohës sonë, një pasoje e vazhdueshme vuajtjesh për miliona njerëz,” tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatë Filippo Grandi, duke shtuar se vetëm një zgjidhje politike do t’i japë fund vuajtjeve, por që kjo të ndodhë, shumë vende duhet të marrin pjesën e tyre në pritjen dhe strehimin e tyre.

“Ndërsa ka sinjale shprese në rritje lidhur me aksesin e ndihmave humanitare në Siri, ndërprerjen e armiqësive, bisedimeve të ripërtërira të paqes dhe premtimeve për financime më të mira, përvjetori i luftës së Sirisë vjen mes një sfondi në rritje të kufijve të menaxhuara nga vendet fqinje, duke lënë mijëra refugjatë në kushte të mjera. Më tej, shtetet evropiane që dikur mirëprisnin sirianët, tani janë duke vendosur gardhe në prag të rritjes së numrit të refugjatëve që kërkojnë sigurinë atje. Disa vende kanë imponuar kufizime kufitare, duke grumbulluar mijëra refugjatë në Greqi, ndërkohë që Bashkimi Evropian është në diskutime me Turqinë mbi një marrëveshje që potencialisht mund t’i ktheje azilkërkuesit përsëri në Turqi.

Ndërkohë, refugjatët në vendet fqinje të Sirisë janë më vulnerabël se kurrë dhe duke marrë rreziqe të shtuara për mbijetese” thuhet ne reagimin e UNHCR-se. Komisioneri i Lartë, Grandi, tha se fondet për ndihma duhet të disbursohen urgjentisht dhe të shoqërohen me forma te tjera të solidaritetit ndërkombëtar. Këto përfshijnë qasje më të mirë jetese dhe arsimimi për shumicën e refugjatëve në vendet fqinje dhe një ndarje më të madhe të përgjegjësisë nga ana e më shumë vendeve në mbarë botën, nëpërmjet sistemeve të hapura për azil dhe rritjen e mundësive për sirianët për të kaluar në vendet e treta nëpërmjet kanaleve të organizuara. “Një tragjedi e kësaj shkalle kërkon solidaritet përtej fondeve. E thënë thjesht, ne kemi nevojë për më shumë vende që të ndajnë këtë barrë “-tha Grandi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: