TIRANE- Transferimi i 150 nxënësve nga shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” tek shkolla “Xhezmi Delli” është kthyer në mollë sherri mes prindërve të fëmijëve dhe drejtorisë së shkollës “Kongresi i Lushnjës”. Palët e përfshira në një situatë të tillë tregojnë arsyet e pakënaqësisë.

Edhe pse jemi tre ditë para nisjes së vitit të ri shkollor kjo situatë nuk ka gjetur ende zgjidhje.
Drejtoria e shkollës “Kongresi i Lushnjës” ka publikuar një listë me 150 nxënës, nga klasa e dytë deri në të shtatën, të cilët duhet të zhvillojnë vitin e ri shkollor tek shkolla “Xhezmi Delli”, por prindërit e këtyre fëmijëve nuk e pranojnë lëvizjen.

Jashtë kamerave disa prindër thonë se nuk duan të zhvendosin fëmijët në shkollën “Xhezmi Delli” për shkak të pranisë në këtë shkollë të fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian.

Drejtoresha e shkollës “Kongresi i Lushnjës”, shpjegon arsyet e këtij refuzimi, që prindërit nuk i pranojnë përpara kamerave.

Sakaq shkolla “Xhezmi Delli” mirëpret çdo nxënës që dëshiron të mësojë në këtë shkollë. Mësuesi i Gjuhë-Letërsisë në këtë shkollë, Faik Myrtaj thotë se shqetësimi i prindërve është i pabazë, ndërsa komuniteti ndihet i fyer nga këto arsye.

“Shkolla jonë e para ka qenë në konkurse dhe olimpiada, këtu edhe e bija e Lasgush Poradecit ka qenë mësuese, sivjet doli ne pension. U bë një gabim nga lart, dhe këtu komuniteti ndihet i fyer, dëgjojnë sikur një pjesë e prindërve nuk duan t’i dërgojnë fëmijët në këtë shkollë. Kur një pjesë e mësuesve të “Kongresit të Lushnjës” erdhën këtu përhapen fjalë sikur komuniteti nuk është i mirë. Të hënën të vijnë të 9 klasat e ‘Kongresit të Lushnjes’, çdo gjë është gati mësuesit janë gati”, tha Myrtaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: