TIRANE – Në përfundim të kongresit, aty ku të gjithë prisnin që delegatët t’u drejtoheshin kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, debati u rikthye sërish te statuti dhe mandati i kryetarit të partisë.

Ishte deputetja Arta Dade, e cila kërkoi nga kongresi që të diskutohej kërkesa e disa deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare që kongresi të shprehet lidhur me zgjedhjet për kryetarin e PS-së. Kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi, e rihapi debatin duke kërkuar nga palët që të shpreheshin për këtë çështje duke ia dhënë fjalën kryetarit të partisë, Edi Rama. Duke përsëritur arsyet pse nuk u bënë zgjedhjet në PS në 2013-n pas mbarimit të mandatit të tij, Rama i kërkoi kongresit që të miratojë thirrjen e referendumit në parti për të vendosur nëse mandati i tij rinovohet automatikisht apo për këtë kërkohet zgjedhje me parimin një anëtar një votë.

Ai i cilësoi alibi pretendimet e ngritura nga Ben Blushi, i cili e mori menjëherë fjalën pas Ramës, akuzoi Edi Ramën se i trembet votimit nga anëtarësia, ndërkohë që kërkon referendum po nga anëtarësia me arsye që të mos ketë kandidatë rivalë. Pjesë e këtij debati u bë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili e akuzoi Blushin se kërkon që përmes statutit të bëhet Kryeministër. Në fund, Blushi e cilësoi nul referendumin, ndërsa Edi Rama e quajti atë rebel që nuk do të donte të kalonte ekstremin e përjashtimit nga Partia Socialiste.

DEBATET
Arta Dade: Ka një propozim nga një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare, që të zhvillohen zgjedhje për kryetar të PS¬së sipas parimit një anëtar¬ një votë dhe se do të ishte kongresi që do ta vendoste këtë gjë. Ne kërkojmë thjesht zbatimin e statutit. Ju po mbyllni kongresin dhe kjo kërkesë u la në hije, pasi nuk u votua rendi i ditës për kongresin.

Gramoz Ruçi: Nuk mund ta mbyllim kështu, do të diskutohen të gjitha çështjet që janë lënë për në kongres. Ia jap fjalën kryetarit të partisë. Edi Rama: Duhet votuar apo jo, ky është një debat i njohur. Përtej aspektit politik, ka dhe një aspekt formal, për të cilin askush nuk mori masa që në momentin e parë për të bërë zgjedhje të kryetarit, për të mos krijuar situata si kjo, është artificiale, por e mbështetur në një formalizëm. Vota e marrë për të qeverisur është e barasvlershme me rikonfirmimin e mandatit të kryetarit të partisë. Kështu e kanë partitë europiane që e zgjedhin kryetarin me një anëtar ¬një votë. Pavarësisht shumicës absolute që thotë se pas dy vjet e gjysmë në qeverisje nuk duhet të bëjmë zgjedhje për kryetarin, ka nga ana tjetër një pakicë, sado e vogël, që mendon të kundërtën. Bindja ime është se shumica dërrmuese e këtij kongresi nuk duhet të marrë fuqinë e atyre që e përbëjnë partinë, pra anëtarësisë. Janë ata që duhet ta ndajnë këtë muhabet të stisur skarco. Nëse anëtarësia nuk do ta konfirmojë mandatin e kryetarit nga kongresi, bujrum të bëjmë zgjedhje, të bëjmë një punë që nuk është puna jonë sot, puna jonë është të qeverisim. Unë kërkoj që kongresi të japë miratimin që kjo çështje të zgjidhet me referendum te të gjithë socialistët. Do t’i japim mundësi edhe asaj pakice të ndihet mirë duke marrë përgjigje nga anëtarësia e PS¬së.

Ben Blushi: Parafolësi është në konflikt interesi me këtë temë, megjithatë është mendimi i tij. Referendumi nuk bëhet për njerëz, zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin dhe ai nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Është thënë që në vitin 2013 ne nuk patëm kohë për të bërë zgjedhje. Edhe nëse është kështu, askush nuk e pengonte këtë kongres apo asamblenë të mblidhej në atë kohë. Është e pavërtetë që partitë në mbarë Europën nuk bëjnë zgjedhje kur vijnë në pushtet. Është cenim i dinjitetit tuaj. Nëse i vendos partia, partia vendos se kush do jetë Kryeministër. Angela Merkel është Kancelare e Gjermanisë, ka 16 vjet në pushtet, votohet çdo dy vjet me statut, edhe pse i fiton zgjedhjet. Nëse partia e saj e rrëzon atë edhe nëse ka fituar zgjedhjet, ajo nuk është më Kancelare. Partia vendos, nëse je në pushtet apo në opozitë. Referendumi nuk i zëvendëson zgjedhjet. Çfarë ndryshimi ka që anëtarësia votoka për referendum dhe nuk votoka për zgjedhje? Këtë referendum e konsideroj antistatutor, të papranueshëm dhe një hile për t’i ikur garës brenda PS¬së. Ka 3 vjet që ndodh kjo. Nuk është demokraci siç po veprojmë sot. Ky është privatizim i një njeriu që nuk zgjidhet. (Nga salla: Ka fituar në dy zgjedhje) Nuk mund të lihet kjo parti kaq pak demokratike dhe të merret peng nga një njeri. Një mandat që merret me referendum si çështje nuk ka për të qenë kurrë një mandat legjitim dhe do vërë gjithë jetën në pikëpyetje legjitimitetin e mandatit të PS¬së, pavarësisht se kush do të jetë ai.

Vangjush Dako: Doja të bëja një ndërhyrje, neni 92 i statutit e ka shprehur shumë qartë se statuti i 2011¬s është shfuqizuar. Pak më parë ne të gjithë, me tri vota kundër, e miratuam statutin dhe për mua ai është i miratuar. Për mua fjala e kryetarit që të bëjmë referendum më duket se kërkon t’i bëjë qejfin Ben Blushit, por nuk do të thotë se do të bëjmë referendum. Statuti nuk e përmban që të bëjmë referendum. Nëse duam të largojmë kryetarin, i jepet e gjithë mundësia Grupit Parlamentar, anëtarësia e partisë, për ta shkarkuar kryetarin, por jo Ben Blushi për ta shkarkuar. Ne nuk mund të vazhdojmë të merremi me statutin se do Ben Blushi të bëhet Kryeministër. Kemi gjithë këtë kohë që merremi me statutin, dhe nuk të bën statuti Kryeministër, por është vota e popullit. Blendi Klosi: Ka ndonjë tjetër që do të flasë? Nuk ka, mbyllet dhe ky diskutim.

Edi Rama: Këtu bëhet një muhabet i kotë. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë: janë disa vetë që thonë se duhet bërë kështu, pse ne e gjykojmë kështu. Është e drejta e tyre. Por ka 1 mijë të tjerë që thonë jo, sepse ne e gjykojmë kështu. Kush e ndan këtë punë? Është e pavërtetë që Kryeministrin e Britanisë partia e fut në zgjedhje. Kryeministrin e Britanisë partia e heq kur Grupi Parlamentar apo kongresi vendos dhe në statutin e ri këtë mundësi partia e ka. Nëse 51% e këtij kongresi mendon se kryetari i partisë duhet të ndërrohet, pavarësisht se është Kryeministër, ata e fusin në zgjedhje. Është absolutisht e pavërtetë se modeli i vetëm është modeli gjerman. Në modelin gjerman, kryetari i partisë zgjidhej si te ne para se të fusnim parimin një anëtar¬ një votë. Injoranca nuk mund të jetë argument! (duartrokitje). Nëse për sa u takon pak personave këtu, është fjala për një person, më vjen keq, por duhet të durojë, sepse nëse ata e kanë me personin, unë s’e kam fare për personin. E kam për parimin dhe për çështjen. Dhe deri sot unë e shoh këtë si një çështje, jo si një betejë personale, nga ana ime. Kjo çështje kërkon, sipas meje, për të respektuar, ata të cilët thonë: Ka diçka që s’shkon që ne të marrim një mendim më të gjerë. Nëse kjo parti do të ishte sot e privatizuar, pronari do ta kishte mbyllur kongresin. Por kjo parti, jo vetëm që nuk është e privatizuar, por është partia e çdo socialisti dhe socialisteje dhe i takon çdo socialisti dhe socialisteje të vendosë dhe për një arsye tjetër, miqtë e mi. Për të mos lejuar që në këtë parti, alibitë mbi statutin të bëhen flamur për të rrëzuar qeverinë e Partisë Socialiste. Kjo nuk mundet të pranohet. Atëherë ta mbyllim këtë debat midis nesh, sepse nuk e zgjidhim dot midis nesh. Jemi 1 mijë veta që themi kështu, janë 10 veta që thonë ashtu, nuk ka rëndësi. T’i respektojmë këta 10 veta dhe të respektojmë PS¬në, ku asnjë person, qoftë edhe në gabim, nuk duhet të ndihet i nëpërkëmbur dhe i padëgjuar, po i duhet dhënë mundësia që të korrigjohet dhe që të gjejë rrugën për të kuptuar se mund të jetë gabim, mund të jetë dhe shumë gabim e mund të jetë në kohë për të mos shkuar në një gabim që pastaj bëhet një faj, që nuk falet më brenda Partisë Socialiste. Referendum, ju lutem votën.

Gramoz Ruçi: Të shpreh edhe unë nja dy mendime se sikur u personalizua çështja mes Ben Blushit dhe kryetarit të partisë. Kemi kohë që diskutojmë për çështjen e mandatit të kryetarit. Për mua problemi nuk është statutor, po politik dhe duhet t’i japim përgjigje edhe politike, edhe statutore. S’duhet ta marrim statutin si një pikë të vetme, por duhet ta lexojmë të gjithë nenin. Unë e kam kërkuar që atëherë që të bëheshin zgjedhje, askush nuk e mbështeti, dhe pse ishte formale, sepse ky njeri sapo kishte marrë votat e qytetarëve në zgjedhje. Ne jemi votuar që kryetari është automatikisht Kryeministër dhe këtu vëmë në diskutim legjitimitetin e Kryeministrit dhe forcës sonë politike. Statuti na jep mundësi që të diskutojmë legjitimitetin e mandatit përmes mocionit të mosbesimit nga 1/3 e anëtarëve, nga asambleja dhe delegatët. Por nuk kemi asnjë kërkesë për mocion mosbesimi. Nuk ka.

Ben Blushi: Edi Rama ka mandat të skaduar.

Gramoz Ruçi: Të lutem Blush, më dëgjo. Jo, nuk i ka skaduar mandati, sepse në 2013 në krah të tij ti dhe unë, me këtë program, me këtë emër, kërkuam që kjo parti të vijë në pushtet dhe ky njeri të bëhet Kryeministër. (Duartrokitje) Kjo parti ka dhe Grup Parlamentar dhe mundet aty që pasi të kemi gjetur një emër tjetër, të shkarkojmë Edi Ramën dhe të votojmë tjetrin. Por nuk ka një kërkesë të tillë.

Edi Rama: Më fal se do rrosh më shumë se unë, se ma more fjalën që doja të thosha. Mbase ka dhe një rrugë tjetër statutore, por me këtë rast vëmë dhe një kapak mbi këtë pjesën tjetër, si po qeverisim, si s’po qeverisim etj.: mocionin e besimit, që i bie ta kërkoj unë. Por unë jam i prirur të them që në këtë rast e gjithë kjo është një farsë dhe kësaj farse duhet t’i japë fund anëtarësia. Këtë di unë. (Duartrokitje)

Gramoz Ruçi: Që ta mbyll çështjen. Pra, në rastin është ose jo statutore, kur nuk ka kërkesa për mocione, unë e përgëzoj edhe këtë diskutim që është hapur. Le të vijmë te çështja e referendumit. Neni 45 thotë që referendumet bëhen për probleme statutore, problemore etj. Meqenëse kemi lexime të ndryshme, unë për këtë nen kërkoj referendum në parti.

Ben Blushi: Cila është kërkesa për referendum?

Gramoz Ruçi: Të lutem Blush, të respektoj, por mos bëj zhurmuesin. E thotë neni i statutit për referendumet, jo ky statuti që miratojmë, por ky që kemi. Për mua kjo çështje duhet hedhur në votë. Kush është dakord që të shkojmë në referendum për të interpretuar një çështje të statutit, nëse duhet bërë zgjedhje ose jo për kryetarin? Pyetja është: Duhen apo s’duhen bërë zgjedhje për kryetar partie?

Fatmir Xhafaj: E ke gabim nga fillimi e deri në fund! Një gabim s’mund të zgjidhej me një gabim tjetër. Kolegu Blushi kishte shumë të drejtë që trajtoi çështjen e funksionimit të zgjedhjeve, por nuk ka asnjë të drejtë nga dita e sotme. Sot kemi miratuar një statut.

Ben Blushi: Është votuar vetëm në parim.

Fatmir Xhafaj: Nëse është votuar në parim, duhet votuar në tërësi. Por nga sot ka hyrë në fuqi statuti i ri dhe ne nuk mund të bëjmë një proces mbi një ligj që është shfuqizuar (duartrokitje), ashtu siç është e gabuar ideja e referendumit. Unë do votoj kundër mbajtjes së referendumit, sepse nga sot përgjigjen e mandatit të kryetarit e ka dhënë kongresi. Nëse duam t’ia bëjmë qejfin kryetarit, hajde t’ia bëjmë, nëse duam t’ia bëjmë qejfin Ben Blushit, hajde t’ia bëjmë, por nga sot kemi statutin e ri.

Ben Blushi: Akoma ne nuk e dimë se kush është pyetja. Është referendum i parë në botë që bëhet pa një pyetje dhe Edi Rama, përveçse vendosi të garojë përballë vetes, duke shmangur të garojë me referendum kandidatët, e konsideroi veten çështje. Është i pari njeri në botë që vuri shenjën e barazimit mes vetes dhe një pyetjeje. Është një mënyrë amatore, e qëllimtë për ta kthyer partinë në një trung partie. Referendumet nuk zëvendësojnë zgjedhjet. Nuk mund ta pranoj këtë mënyrë të eliminimit të kandidatëve. Unë referendumin e quaj një nul. Ky nuk mund t’i japë fuqi një njeriu, por një çështjeje.

Edi Rama: Nëse anëtarësia do të kërkojë zgjedhje për kryetar, do bëjmë zgjedhje. Nëse anëtarësia do të konfirmojë vendimin e kahershëm dhe të sotëm për të mos bërë zgjedhjet pasi janë pakuptimta, çështja është e mbyllur për sa na takon, mbase jo për ata që kanë alibi. Ky është një shembull i mënyrës se si PS arrin t’i shtrijë kufijtë e përpjekjes për durim përtej çdolloj limiti dhe besoj se kemi bërë diçka të mirë për të respektuar një moment, që e dini të gjithë, që është një alibi false. Rebelët çmohen, por nga ana tjetër, PS është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe jashtë horizontit të qëllimit tonë të përbashkët. Shpresoj që ky të mos jetë rasti dhe nuk do të doja të ishte rasti.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: