SHKUP- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, deklaron se BDI mbështet mbylljen e menjëhershme të çështjes dhe është kontribuese në arritjen e kompromisit të pranueshëm nga të dyja palët.

Në një takim me u.d. zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, Met Palmer, Ahmeti ka diskutuar rreth negociatave mes Shkupit dhe Athinës, si dhe mundësitë për mbylljen e kontestit me emrin, në mënyrë që të zhbllokohen dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

“Kompromisi i menjëhershëm na mundëson marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pikërisht integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioriteti ynë sepse garantohet paqja, stabiliteti dhe siguria, por edhe hapen perspektiva të reja dhe konkrete ekonomike”,- ka thënë Ahmeti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe inkurajojnë tejkalimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë, ka potencuar Palmer në takim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb