Ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi ka nënshkruar me klubin e ri, Deportivo Alavesh, kontratën 1 vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër dhe do të rikthehet kështu në Spanjë pas 10 vitesh, ku më parë ka drejtuar skuadrën e Levantes.

Lajmi për këtë marrëveshje është konfirmuar nga vet klubi i Alaveshit ku nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare i ka uruar mirëseardhjen teknikut 61-vjeçar.

Edhe pse nuk është konfirmuar nëse do të jetë ai “timonieri” i skuadrës të shtunën, fati i rezervoi italianit që çelësat e ekipit t’i marrë pikërisht në ndeshjen ndaj Realit.

Një sfidë sa prestigjioze aq edhe e vështire për De Biazin, ku përballë do të ketë ekipin më të mirë të Europës, i cili është në një moment delikat, ku nuk tolerohet rezultat tjetër përveç fitores. Pas Realit, italianin e pret sfida ndaj Levantes, ish-ekipit që trajneri drejtoi në sezonin 2007-2008.

De Biazi do të ketë në dispozicion te Deportivo Alavesh futbollistë me emër, si Bojan Krkiç, Munir El Hadadi dhe djalin e Zinedin Zidanit, Enco Zidan. Skuadra spanjolle ndodhet në vendin e parafundit në La Liga me 0 pikë në 5 ndeshje./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: