TIRANE- Libri “Sandwich” i Mustafa Nanos, me nëntitull “A është mirë me qenë shqiptar”, ka ngjallur jo pak debat gjatë verës që lamë pas. Në emisionin “Studio e Hapur” në “News24” me gazetaren Eni Vasili, autori i librit ka shpjeguar qëndrimin e tij lidhur me shprehjen “Konvertimi në Islam proçka më e madhe që kanë bërë shqiptarët në historinë e tyre”.

“Me këtë kam parasysh që shqiptarët e shkëputën veten e tyre nga një qytetërim që ata i përkisnin derisa u konvertuan në fenë islame. Deri në atë kohë ne i përkisnim besimit të krishterë. Shqiptarët nëpërmjet konvertimit në fenë islame, fizikisht mbetën brenda Europës, por mendërisht u shkëputën nga qytetërimi europian. Ndaj them se ky konvertim e bëri këtë situatë problematike të shqiptarëve. në Shqipëri nuk ndodhi përparimi kulturor si në vendet e tjera europiane. Këtu çdo gjë ngriu. Të konvertohesh në fenë islame nuk është si të bëhesh budist, sepse feja islame është shumë e fortë, dhe nuk ka të krahasuar me besimet e tjera”, tha Nano.

Por sipas historianit Olsi Jazexhi, ky konvertim nuk është aspak “proçkë”. Ai thotë se, siç ë thotë edhe Sami Frashëri “shqiptarët gjetën tek turku një zot që i hapi dyert e botës”.

Olsi Jazexhi: Proçkë e shqiptarëve është që nuk u bënë të gjithë myslimanë por u bënë vetëm disa. Në myslimanë u konvertuan edhe hungarezët, serbët e grekët, por me rënien e Perandorisë Osmane, shtetet e reja, pasi krijoheshin u masakruan myslimanët. Arsyeja pse në Shqipëria ka shumë myslimanë, është se ishin rripat e fundit që u shkëputën nga perandoria turke, arsyeja është se këtu transferoheshin muhexhirët. Nuk ishte proçkë për arsyen se si thotë Sami Frashëri, shqiptarët gjetën te turku një Zot që i hapi dyert e botës.

Mustafa Nano: Po pikërisht prandaj është proçkë, se ne e ndamë mënyrën e të jetuarit, kulturës sonë nga fqinjët

Olsi Jazexhi: Jo, se ka pasur dhe grekë janë konvertuar në myslimanë

Mustafa Nano: Kjo pjesë ka qenë e vogël, dhe një pjesë e tyre kanë qenë shqiptare. Grekët e serbët kanë pasur popullsi të vogla myslimane, madje dhe ato i kanë përzënë.

(el.sp/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: