*Çifti Xhiko jetonte në kushte ekstreme varfërie, Mikeli kishte paramenduar krimin

KORCE- Një krim i rendë brenda familjes ka tronditur mëngjesin e kësaj të diele qytetin juglindor të Korçës. Për arsye ende të paqarta 34 vjeçari Mikel Xhiko ka vrarë bashkëshorten e tij, Yllka Xhiko 29-vjeç brenda në banesë e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.

Gazetarja Lediona Xheladinaj që ndodhet në vendngjarje, raporton se krimi i rëndë ka ndodhur para pak minutash në lagjen 17 të qytetit. Fillimisht burri ka qëlluar gruan me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, e më pas edhe veten. Ky i fundit ka ndërruar jetë në spital.

Po sipas Lediona Xheladinaj, policia ka rrethuar zonën dhe po heton për shkaqet e ngjarjes, ndërsa paraprakisht thuhet se shkak për krimin e rëndë mund të jetë bërë xhelozia.

Banorët e zonës thonë se nuk e njihnin shumë çiftin, pasi jetonin me qira në këtë apartament. Po ashtu autori i krimit Mikel Xhiko njihej edhe si përdorues i lëndëve narkotike.

BABAI I 29-VJEÇARES: JA SI E SHPËTOVA MBESËN, DHËNDRI I DROGUAR, UNË E NXORA NGA BURGU
Ora 15:01- Babai i 29-vjeçares, Yllka Xhiko tregon momentet tmerrshme kur mori vesh lajmin e rëndë. Tepër i tronditur ai tregon se e bija bashkë me dhëndrin kanë qenë për vizitë tek ai sot në mëngjes, aty ku kanë lënë edhe vajzën, ndërsa thotë se dhëndri do t’i kishte vrarë edhe mbesën, po ta kishte patur në shtëpi.

“Jam i shokuar nga kjo ngjarje e rëndë. Ishin në mëngjes te shtëpia ime. Dhëndri nuk shfaqi ndonjë shenjë depresioni. U larguan tek banesa e tyre për të rregulluar bravën e derës. Më lajmëruan për ngjarjen e rëndë dhe i tronditur shkova te banesa. Pashë dhëndrin kur e mori ambulanca. Vajzën e vogël e kisha në shtëpi. Nëse do e kisha lënë ta merrnin do ma kishte vrarë edhe atë”,- shprehet Emin Koçibelli.

Më tej ai trego se, “Vajzën e kam rritur me mundime. Jeta ime tani mori fund. Ai ishte i droguar por vajza nuk pranonte të divorcohej. E nxora me lekët e mia nga burgu. Vajza ime e mbante familjen sepse vetëm ajo punonte”.

ÇIFTI XHIKO JETONTE NË KUSHTE EKSTREME VARFERIE, MIKELI KISHTE PARAMENDUAR KRIMIN
Ora 14:29- Ndërkohë, pak orë pas krimit zbulohen detaje të reja zbulohen nga kjo ngjarje e rëndë. Bëhet me dije se autori Mikel Xhiko e kishte paramenduar ngjarjen e rëndë, pasi kishte bllokuar derën me orendi shtëpiake në mënyrë që bashkëshortja e tij të mos kish mundësi të largohej nga banesa.

Po ashtu mësohet se ata jetonin në kushtet e varfërisë ekstreme bashkë me vajzën e tyre të mitur. Autori Xhiko ka qenë i dënuar më parë me 4 vjet burg për lëndë narkotike dhe vjedhje.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: