KORÇË- Finalizohet me sukses operacioni anti-trafik i koduar “Vërdova”, ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 persona. Burime nga policia e Korçës bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se këta persona akuzohet se kundrejt shpërblimit do të ndihmonin 27 shtetas të huaj, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Bëhet fjalë për Leonard Jaçellarin, 28 vjeç, banues në fshatin Hudënisht të Pogradecit, Vasil Kuburja, 47 vjeç, banues në Elbasan si dhe Arsen Çekiçi, 44 vjeç, banues në fshatin Buçimas. Arrestimi i tyre u bë pasi, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe falë veprimeve të mirëkoordinuara, këta shtetas u kapën në flagrancë në aksin rrugor Korçë-Pogradec pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Vërdovës”, duke transportuar me automjetet e tyre 27 klandestinët me kombësi siriane, irakene dhe sudaneze, të cilët vinin nga një kamp i qytetit të Selanikut/Greqi dhe kishin kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër drejt tokës shqiptare.

Tre të lartpërmendurit, i’u kishin premtuar shtetasve të huaj, se do t’i ndihmonin këta të fundit, për të shkuar drejt vendeve të BE-së, duke kaluar nëpërmjet territorit shqiptar, kundrejt shumës prej 1200 euro për personat e rritur dhe 600 Euro për fëmijët. Pas përfundimit të veprimeve proceduriale si edhe intervistimit të tyre, 27 klandestikët (midis tyre 12 fëmijë të mitur) janë transportuar drejt Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, në Babrru. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, dy prej të cilave tip “Ford” me targa AA 370 IR dhe AA 622 MY, automjeti tip “Mercedes-Benz” me targa TR 3127 T si dhe 4 aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: