Nga: JULIANA KNEZI
SEUL – Ndërkohë që Koreja e Veriut kërcënon me lëshimin e raketave, në kryeqytetin e Koresë së Jugut u mbajt samiti tre ditor për të diskutuar rreth zbatimit të projekteve për ndërtimin e paqes me 1100 përfaqësues nga e gjithë bota, mes tyre liderë botëror dhe fetarë, përfshirë këtu edhe kryegjyshin botëror të bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Ibrahimi.

Samiti u zhvillua nga organizata ndërkombëtare joqeveritare për Kulturë Hyjnore dhe Paqe Botërore HWPL, me qëllim adresimin e masave për ndërtimin e paqes në botë përmes vendosjes së një qeverisjeje të përbashkët mes qeverive, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

MAN HEE LEE
Projektet e paqes janë miratuar në disa pjesë të botës përmes Deklarimit të Paqes dhe Ndalimit të Luftës në vitin 2016, në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendosjes së paqes si normë dhe kulturë.

Kreu i organizatës HWPL, Man Hee Lee, gjatë fjalës së tij në samit vuri theksin tek ligji ndërkombëtar për paqe. “Nevoja më urgjente është ndalimi i luftës. Deklarimi i Paqes i hartuar nga ekspertë të ligjit ndërkombëtar ofron qasje praktike për të ndaluar konfliktet.

Nëse liderët i duan njerëzit e tyre, duhet të punojnë të gjithë së bashku për të zbatuar masat për ndërtimin e paqes”-u shpreh Man Hee Lee. Ai shtoi se një botë pa luftëra i duhet kujtdo në botë, kjo do të thotë se nëse çdo kush bëhet lajmëtar i paqes, atëherë do të ndërtohet paqja në botë”.

Në kuadër të këtij samiti, në Korenë e Jugut u mbajt edhe Festivali i Paqes, një festival madhështor ku morën pjesë mijëra vetë me besimin e plotë për vendosjen e një ligji ndërkombëtar për paqe.

Pavarësisht situatës së tensionuar për shkak të kërcënimeve me raketa nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, organiza HWPL me mijëra përkrahësit e saj, përmes këtij festivali, kërkuan zgjidhje përmes paqes, jo vetëm për çështjen e tyre, por për të gjitha konfliktet në botë.

Kreu i HWPL-së, Man Hee Lee theksoi gjithashtu se ndalimi i luftërave dhe vendosja e paqes do të ishte trashëgimia më e mirë që mund t’i lihej brezit të ardhshëm.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb