Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut kanë rënë dakord që të mbajnë një Samit të liderëve në fund të muajit të ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut, i cili bazohet në deklaratat e qeverisë së Seulit, bëhet e ditur se dy vendet kanë rënë dakord që në fund të muajit të ardhshëm të mbajnë një samit ku do të marrin pjesë edhe liderët e dy Koreve.

Chung Eui-yong, kryekëshilltari i sigurisë i presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka njoftuar se samiti është planifitkuar që të mbahet në rajonin e përbashkët të sigurisë Panmunjeom, që ndodhet në kufirin mes dy vendeve.

Ndërkohë njoftohet se qeveria e Koresë së Veriut ka premtuar se nuk do të përdorë armë nukleare kundër Koresë së Jugut dhe se do të ndal testimet raketore dhe nukleare nëse bie dakord me SHBA-të.

Dy vendet gjithashtu theksohet se kanë vendosur të krijojnë një linjë të veçantë për të zhvilluar këshillime mes liderëve dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Deklarata të cilat ende nuk janë konfirmuar nga qeveria e Koresë së Veriut, janë bërë pas vizitës dy ditore që Chung zhvilloi në kryeqytetin Pyongyang të Koresë së Veriut.

Chung, gjatë vizitës së tij, bashkë me delegacionin prej katër personash u takua edhe me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: