Koreja e Veriut kërcënoi Shtetet e Bashkuara pas aprovimit të sanksioneve të reja të ashpra në Kombet e Bashkuara. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump u përgjigj duke thënë se sanksionet janë vetëm një hap i vogël nga ajo që meriton Peniani.

Koreja e Veriut ka reaguar në lidhje me sanksionet e reja shumë të ashpra që u aprovuan në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Natyrisht prononcimi i Penianit erdhi me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të presin një kundërpërgjigje shumë të ashpër, me pasoja të papërballueshme”, theksoi një funksionar koreanoverior për CNN.

“Derisa ne kemi arsenalin tonë bërthamor, mund të garantojmë siguri dhe paqe për vendin tonë”, tha më tej zyrtari i administratës së liderit Kim Jong-Un.

Natyrisht për zhvillimet e fundit ka ardhur edhe një reagim nga presidenti amerikan, Donald Trump. Për kreun e Shtëpisë së Bardhë, sanksionet e votuara në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut janë “vetëm një hap i vogël krahasuar me atë që duhet të ndodh ndaj këtij shteti”.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ai dhe Sekretari i Shtetit, Reks Tillerson kanë diskutuar për votimin. Presidenti amerikan nënvizoi se nuk është i sigurt nëse sanksionet e reja do të kenë ndonjë ndikim.

Mbrëmjen e së hënës këshilli i sigurisë miratoi në mënyrë unanime një rezolutë që parashikon ndalimin e eksportimit të tekstileve nga Peniani si dhe ndalimin e importit të naftës dhe gazit natyral drejt Koresë së Veriut.

Por me një përjashtim, duke lejuar një sasi të vogël që është e domosdoshme për popullsinë.

Por në dokument, me kërkesë të Kinës dhe Rusisë, nuk është përfshirë futja në listën e zezë të liderit koreanoverior Kim Jong Un, gjë që do e ndalonte atë të udhëtonte; dhe nuk është vendosur as ngrirja e aseteve financiare të tij.

Rezoluta 2375, e miratuar si përgjigje ndaj testit bërthamor të 3 shtatorit, është e nënta me sanksione për Penianin që nga viti 2006.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb