Nga: Rea SHUNDI
Shoqëria mbahet në këmbë në bazë të parimit të reciprocitetit. Në mes qëndrojnë ligjet, rregullatorë të këtyre shkëmbimeve. Pa to, nuk ka rregull, nuk ka disiplinë dhe askush në fund nuk e di ku qëndron dhe çfarë duhet të bëjë.

Më një fjalë, ligji dhe vendosësi i tij e njeh natyrën njerëzore me dobësitë e pikat e forta të saj; por duke mbajtur gjithmonë në mendje qëllimin – bashkërendimin dhe rrugëtimin e përbashkët drejt zhvillimit – i udhëzon njerëzit drejt paqes mendore.

Por çfarë do të thotë kur, megjithë shumëllojshmërinë e ligjeve dhe rregullave të njohura, njerëzit ende janë në kaos dhe pakënaqësi? Këto gjëra nuk mund të mohohen dhe as mund të fshihen. Ato mund të përtypen e pranohen përkohësisht, vetëm kur ekziston shpresa e përkohshmërisë së situatës. Por, kur ajo vazhdon? Atëherë dy rrugë mbeten; revoltë ose paqëndrueshmëri e përhershme.

Ne si shoqëri shqiptare, dukshëm karakterizohemi nga një ambicie e zhvilluar për të qenë gjithmonë më mirë, pa bërë dallimin e caqeve e limiteve. Duke i mohuar vetes kapacitetin njerëzor dhe shoqëror për një gjë të tillë, vazhdojmë të pretendojmë se në fakt mund të barazohemi me vendet shumë më të zhvilluara. Por, kur kjo nuk ndodh, kurrsesi s’mundemi ta pranojmë.

Është i pamohueshëm përparimi i madh ndër kaq pak vite, por sa më shumë të na rrihen shpatullat për këtë, aq më shumë do të vazhdojmë të zhytemi më thellë drejt kaosit.

Ecuria e panatyrshme, kapërcimi i shumë shkallëve përnjëherë dhe refuzimi i vazhdueshëm për të pranuar kritikat me mendjehapësi, kanë çuar në çrregullsinë mbizotëruese të sotme.

Rregullat nuk janë bërë për t’u thyer. Aq më pak nga ne, shteti fare i ri.

Duke dalë jashtë Shqipërisë, kam dëgjuar mjaft gjëra për popullin tonë, disa prej të cilave më bënë përshtypje të thellë. Thuhej “shqiptarët janë të punës dhe të pagojës”. Vërtetë ashtu. Por, rreziku i “pagojësisë” është se komunikimi i vetëm kryhet në nënshtresa. Gjithashtu, do të thotë se jemi të aftë të shtypim pakënaqësitë tona, të fshehim motivet më të thella, deri në momentin që ato marrin përmasa të atilla sa të shpërthejnë diku. Pra, si mund të pretendojmë ne shoqëri të qëndrueshme qytetare, ku papritur vend e pavend shpërthejnë mina të kronometruara nëntokësore?

Fare natyrshëm këto zhurma jemi mësuar t’i anashkalojmë, por kështu i kemi lënë vend zhvillimit të “sëmundjes”. Por, kjo sëmundje nuk prodhon vetëm mina; ajo i shtrin rrënjët e saj duke marrë bollshëm ushqim, dhe në terrene të caktuara nxjerr krye në forma të tjera; padrejtësi, mungesë disipline, papërgjegjshmëri, abuzim, mashtrim, imoralitet… e shumë filiza të tjerë. Kjo bimë është fare e ngjashme me lulen e së keqes, lulen e poezive të Baudelaire. Dhe ajo mund të mbijë e lulëzojë tek çdokush, nëse i mundësohet terreni.

Kaq ironike bëhet nganjëhere situata, duke marrë parasysh edhe klimën e mrekullueshme për të kultivuar në Shqipëri. Thuajse çdo gjë mund të rritej këtu.

Fatkeqësia jonë është se ata që e quajnë veten pronarë të tokës sonë, kanë gjetur të mbjellin (në përshtatshmëri të bimës së tyre të brendshme) lulen e së keqes me bollëk.

Kush duhet të vijë e të na i hapë sytë e veshët, të na bëjë të kuptojmë se kjo tokë është e të gjithëve ne? Është e jona, shqiptarëve; e fëmijëve, e prindërve dhe e gjyshërve. Vetëm, sepse po kultivojmë shkurre jopjellore dhe fara të kalbura, mbetet prapë toka e të gjithëve. Ku shkoi guximi dhe trimëria jonë e lashtë, për të luftuar e punuar për të? Përse ia kemi lënë në dorë fatit dhe mëshirës?

Shkallët vërtëtë i kemi kërcyer me hapa galopantë, por na kanë gënjyer duke na thënë se kjo është gjëja e duhur. Zhvillimi fitohet me shumë kohë e punë, jo me shurdhëri e qorrësi./27.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: