Nga: Azgan HAKLAJ

17 Shkurti 2008, dita kur parlamenti i Kosovës shpalli me votë unanime Pavarësinë e saj, së bashku me 28 nëntorin 1443 dhe 28 nëntorin 1912 janë trinomi historik më i rëndësishëm i kombit tonë.

Kosova apo Dardania, siҫ njihej në kohët antike, është epiqendra e betejave të mëdha, ҫka e bën atë me të drejtë të meritojë epitetin “Djepi i Nacionalizmit Shqiptar”.

E ndodhur në një pozicion gjeostrategjik të favorshëm, në një nyje ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të Ballkanit dhe të Europës kontinentale. E pasur si askush tjetër në tokën e nëntokën e saj.

Kosova u bë në shekuj shesh betejash të Perandorive të mëdha Romake-Bizantine – Sllave – Osmane.

Banorët e kësaj treve të lavdishme të Atdheut, me qëndresën e tyre epike, arritën të ruajnë brez pas brezi traditat dhe zakonet e të parëve, kulturën e mënyrën e jetesës. Atë nuk arriti ta asimilonte vetë Roma e fuqishme, Kostandinopoja, apo Perandoria e Car Dushanit. Kjo i dedikohet faktit se në udhëkryqet më të errëta të historisë, kjo tokë e bekuar lindi korifejtë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe atë të njerëzimit.

Kosova i dha Romës perandorin e ndritshëm, Kostandinin e Madh, Bizantit Justinianin dhe Niket Dardanin, botës Shën Terezën dhe kombit të vet burra mendjendritur e të pavdekshëm me Lekë Dukagjinin, Pjetër Bogdanin, Ibrahim Rugovën.

Pavarësia e Kosovës është epilogu i luftërave të përgjakshme 600-vjeçare për liri të burrave e grave të saj, qysh nga Beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389 e deri në çlirimin e saj nga Serbia në vitin 1999. Në kalendarin e historisë së saj janë shumë të pakët muajt e vitet në të cilat mungojnë betejat e kryengritjet e përgjakshme.

Kosova Dardano–Arbërore është protagoniste absolute në të gjitha ngjarjet e mëdha historike të popullit shqiptar.

Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 me Dukagjinët e Spanët.

Në Kuvendet e mëdha të Dukagjinit e Kuҫit 1602–1614.

Me Lidhjen e Prizrenit të vitit 1878 e atë të Pejës të vitit 1899.

Në Kuvendet e Junikut e të Shkupit, në të cilat u hartua Platforma e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare e vitit 1912 për liri e pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Në Konferencën e Bujanit në Malësinë e Gjakovës, dhjetor 1943- janar 1944, u arrit bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, sipas Kartës së Atlantikut, për Vetëvendosjen e Popujve pas Luftës së Dytë Botërore. Por dhe ky Kuvend u tradhtua nga komunistët Shqiptarë e Jugosllavë.

Beteja për Kosovën e lirë, e certifikuar më 12 qershor të vitit 1999-të, është triumfi jo vetëm i qëndresës dhe sakrificave mbinjerëzore dhe i ëndrrës shekullore të shqiptarëve për liri, por edhe i vlerave të demokracisë e qytetërimit perëndimor kundër despotizmit Milloshoviҫian si bartës i ideologjisë shoviniste dhe ekspancioniste të Serbisë së Madhe.

Kosova si asnjëherë tjetër në histori ia doli të zgjojë ndërgjegjen e kombeve të lira, të SHBA-së, BE-së, dhe të NATO-s, si aleanca më e fuqishme politike- ushtarake e historisë.

Në 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është në nderin dhe traditën tonë të lashtë Kombëtare t`u shprehim mirënjohjen SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Austrisë, Batalionit të Atlantikut dhe të gjithë atyre vendeve, të cilat iu bashkuan flamurit të NATO-s dhe luftuan për lirinë e Kosovës.

Rruga drejt Pavarësisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Janë dashur të gërshetoheshin shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm. Të kapet në kohën e duhur momenti historik. Të krijohet kohezioni i shtresave të historisë, intelektualëve, shoqërisë civile e zonave rurale.

Konsolidimi i kauzës kombëtare i “Lirive dhe të Drejtave të Njeriut” dhe sigurimi i aleatëve ndërkombëtarë. Demonstratat e fuqishme të viteve 1968 dhe 1981 të rinisë studentore e të popullit të Kosovës dhe shtypja e tyre nga regjimi i Jugosllavisë Titiste, Milloshoviҫiane, treguan se me një botë të ndarë nga perdja e hekurt ideologjike, politike e ushtarake, ishte tepër e vështirë, në mos e pamundur për çlirimin nga prangat e robërisë.

Shkurt do të duhej një mrekulli në skenën botërore të politikës dhe një mendje e ndritur, për të vënë në sinkron akrepat e orës së popullit të tij, me atë të Grenuiҫit të Londrës.

Kosova e pati këtë fat dhe kapi këtë moment historik, gati njëherësh me shembjen e Murit të Berlinit, ngjarjes që i dha fund ndarjes ideologjike dhe çoi në shembjen e perandorisë komuniste.

Intelektualët patriotë e vizionarë të Kosovës krijuan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në Europë, e cila do të bëhej projektuese, udhëheqëse dhe garante e suksesit, të lëvizjes pacifiste për lirinë e pavarësinë e saj.

Me daljen në skenën politike të Kosovës si kryetari i LDK-së dhe udhëheqës i rezistencës paqësore, dr. Ibrahim Rugova, do të tregonte qartë një akt të pashembullt guximi, përkushtimi ndaj vendit të tij. Me veprimtarinë politike e diplomatike, Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Kaҫanikut, krijimin e pushtetit paralel, ndërkombëtarizimin e Çështjes së Kosovës dhe gjetjen e aleatëve të fuqishëm për kauzën e lirisë, dr. Rugova do të konfirmohej një gjeni i politikës.

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mirënjohje e nderim të thellë, UҪK-së së lavdishme, Shtabit të saj të Përgjithshëm të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, trurit dhe pushkës liberatore të Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit, Ali Ahmetit, Kadri Veselit.

Përkulje me respekt për flakadanët e pashuar të lirisë , të cilët u bënë burim frymëzimi e krenarie, të gjithë atyre djemve dhe vajzave që derdhën gjakun, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën për lirinë e Kosovës, për ta shkruar emrin me germa të arta në Panteonin e Historisë Kombëtare.

Këto rreshta të shërbejnë si kurorë me lule në kujtim të veprës sublime të Adem e Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit, Nënë Azne Brahimajt, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut, Luan Haradinajt, Shkëlzen Haradinajt, Enver Haradinajt, Agim Ramadanit, Salih Ҫekajt, Tahir Sinanit, Bylbyl Breҫanit, Fatmir Doҫit, Bedri Shalës, Bekim Berishës, Adrian Krasniqit, Muj Krasniqit, vëllezërit Gursel e Bajram Sulejmani Njazi Azemit, Ridvan Qazimit , Agron Ramës, Mujdin Aliut, Fadil Nimanit, Ismet Jasharit, Femih e Xhevë Lladrofsit, Elton Zherkës, Yll Morinës, Urim Rexhës, Ingrit Carës, Skerdilajd Llagamit të cilët u bënë gur themeli për çlirimin e Kosovës. Ata ranë për të realizuar ëndrrën e Zhuj Selmanit, Mic Sokolit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Ali Pashë Gucisë, Sef Kosharës , Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Azem Galicës, Ahmet Delisë, Dedë Gjo Lulit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës.

Epopeja e Jasharajve dhe Haradinajve, do të mbeten të pashlyera në histori. Këto dy familje i dhanë UҪK-së komandantin legjendar Adem Jasharin dhe gjeneralin më të rëndësishëm të terrenit në shekullin e 20-të, kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Mirënjohje e përjetshme për kalorësit e lirisë, Bill Klinton, Madeleine Albright, gjeneralit Klark, Havier Solana, Richard Hollbruk, Toni Bler, Eliot Engëll, presidentit Xhorxh. W. Bush, Hilary Klinton, Bob Dole, Joseph Dioguardi të cilët do të ngelen përjetë miq të përjetshëm e të papërsëritshëm të kombit shqiptar.

Askush sa Kosova nuk ka derdhur gjak për liri. Asnjë krahinë tjetër e trojeve etnike shqiptare nuk është martirizuar sa Kosova.

Në vitet 20 të shekullit të XVIII, Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene u krijua dhe doli në skenën politike të Ballkanit si një përbindësh i egër, hibrit, produkt i ideologjisë nacionaliste dhe i mitologjisë së frymëzuar nga ëndrra e “Serbisë së Madhe” të epokës së Car Dushanit.

Në 100 vite të sundimit në Kosovë, Jugosllavia monarkiste dhe ajo titiste ka vënë në jetë një projekt kolonizues e shfarosës ndaj shqiptarëve.

Projektet politike të hartuara nga Vaso Ҫubriolloviҫi e Ivo Andriҫ janë pararendëse të Holokausit–nazisto–hitlerian, për nga përmbajta e brutaliteti i tyre.

Ashtu siç është për nazistët çështja e hebrenjve, çështja e shqiptarëve, shpërngulja dhe shfarosja e tyre, është problem themelor i makinerisë vrasëse të shtetit serbo–sllav në Kosovë. Nëse kthehemi në histori, vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913 janë vrarë 500 mijë shqiptarë.

Leo Freundlih (hebre) austriak, botoi librin “Golgota Shqiptare”, që protestonte kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët. Në vitet 1912-1913, ushtria serbe vrau gjysëm milion shqiptarë. Libri i tij “Akuzat që ulërijnë” është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli europian para atij hebraik. Mbi 250 mijë shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vitit 1912. Me qindra e mijëra kufoma notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundën t`i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave, të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe grumbulloheshin në vende të caktuara dhe iu jepej nga një plumb kokës.

Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin, më pas mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë dhe hidhnin valle. Kishte raste që gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe hapnin gostinë me të. Kështu i përshkruante masakrat mizore serbe ndaj shqiptarëve, Leo Freundlih “Golgota Shqiptare “1913, Freundlih thekson se serbët deshën të shfarosnin tërë kombin me rrënjë e me degë.

Doktor Lonte, një mjek rumun me 6 janar 1913, kishte raportuar në “Adeverul” të Bukureshtit, se mizoritë, të cilat i kishte bërë armata serbe mbi shqiptarët, të cilat i kishte parë vetë kishin qenë shumë të trishtueshme se sa mund t`i imagjinojë njeriu. Dr.Leonte në një përshkrim të dëbimit të qindra shqiptarëve të zënë rob, shkruan: “Këta njerëz të shkretë duke ecur rrugëve nga rraskapitja, uria dhe etja, rrëzoheshin përtokë, kurse ushtarët serbë në ato çaste ua ngulnin bajonetat në fyt duke shkuar currili i gjakut dhe duke mbetur plot kufoma të pa varrosura rrugëve”.

Edhe fushat ishin mbuluar me kufoma e trupa të vrarë, duke përfshirë të rinj, gra e fëmijë. Një vajzë shqiptare 15-vjeҫare shkruante dr. Leomte, ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar në kështjellën e Nishit. Ajo ishte e dyshimtë se ka hedhur bomba kundër serbëve, të cilët kishin hyrë në Ferizaj. Vajza e vogël e ngarkuar me krim, ju dorëzua ushtarëve serbë, të cilët e goditën me shkop në kokë derisa ia bënë kafkën copa-copa. Dr. Leonte përshkruan dhe masakrat e bëra nga serbët në Kumanovë, Prizren etj.

Me datën 12 nëntor 1912, gazeta “Daily Chrunicle” (kronika ditore) kishte raportuar se masakrimi i shqiptarëve nga serbët ishte një fakt i pamohueshëm. Afër Shkupit 2 mijë shqiptarë myslimanë dhe 5 mijë të tjerë në zonat e Prizrenit u masakruan.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitet 1944-1946, nga armata ushtarake jugosllave u vranë 70 mijë shqiptarë. Kjo tragjedi kulmoi me masakrën e Tivarit e ideuar nga binomi Tito–Rankoçiҫ dhe e bekuar nga diktatori E. Hoxha, me misarët e tij Shefqet Peҫi e Ramiz Alia.

Genocidi ndaj tyre është i pashembullt në Historinë e Europës. Në një shekull sundim Serbia i ka shkaktuar Kosovës mbi 80 mijë viktima. Në shpërnguljet masive drejt Turqisë me marrëveshjet famëkeqe serbo–turke të viteve 1937-1952, nga trojet e tyre amtare janë shpërngulur 500 mijë shqiptarë.

Projekti milloshoviҫian i koduar si operacioni “patkoi” për shpërnguljen e shqiptarëve.

Dëbimi i 1 milion shqiptarëve nga vendi i tyre në vitin 1999, vrasja e mbi 10 mijë qytetarëve kosovarë, masakrat çnjerëzore sidomos ajo e Reҫakut, i treguan botës së qytetëruar fytyrën e vërtetë të Shtetit Serb e politikës së tij.

Beteja për çlirimin e Kosovës ishte për SHBA-në në radhë të parë një betejë morale në themel të së cilës qëndronin liritë dhe të drejtat e njeriut.

Parimi i vetëvendosjes së popujve e sanksionuar në Kartën e Atlantikut, “E drejta historike dhe ajo ndërkombëtare“.

Kosova qysh me Deklaratën e Pavarësisë është konfiguruar si një shtet laik e demokratik që njeh e respekton Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe ato të Minoriteteve.

Përkundër masakrave të tmerrshme që kreu në Kosovë ushtria e Millosheviҫit dhe bandat paramilitare të Arkanit, Shqiptarët e Kosovës nuk u hakmorën në asnjë rast ndaj Komunitetit Serb, duke i dëshmuar mbarë botës një nivel qytetërimi e tolerance, dukshëm superior ndaj atyre mendjeve të errëta të mbrapshta që projektuan dhunën e genocidin ndaj popullit të Kosovës.

Kosova tashmë është një realitet i ri në Ballkan. Një faktor paqeje e stabiliteti. Në një dekadë si shtet i pavarur, Kosova ka bërë hapa të sigurtë në rrugën drejt demokracisë, shtetit të së drejtës, integrimin në strukturat Euro-Atlantike, duke i treguar botës se ajo meriton plotësisht lirinë, pavarësinë e konsolidimin e saj.

Sfidat drejt të ardhmes nuk janë të lehta. Procesi i integrimit, kërkon përmbushjen e standardeve të demokracisë. Respektimin e Kushtetutës e të ligjeve. Progres ekonomik dhe zbatim me rigorozitet të detyrimit që rrjedh nga Traktatet dhe Konventat Ndërkombëtare, të ratifikuara.

Veҫ dialogut të vështirë me Serbinë, qeveria e Kosovës dhe diplomacia e saj po përballen edhe me dy çështje për të cilat opinioni është i ndarë.

Demarkacioni dhe Gjykata Speciale, janë kërkesat e aleatëve tanë të mëdhenj SHBA dhe BE.

Presidenti Thaҫi dhe kryeministri Haradinaj duhet ta kalojnë me zgjuarsi e me elegancë këtë akt për hir të së ardhmes, paqes, mirënjohjes ndaj aleatëve. Shqiptarët e veriut kanë një shprehje kuptimplotë bujarie dhe mikpritjeje. Edhe kur nuk janë në formë për të pirë ndonjë gotë i drejtohen mikut me nderim, “Për ty e pi dhe në qoftë me helm”.

Pritja e ngrohtë në SHBA në Mëngjesin e Lutjeve e presidentit Thaҫi dhe kryeministrit Haradinaj tregoi se Kosova ka mbështetjen pa ekuivok të Amerikës në sfidat e saj të së ardhmes. Takimet e kryeministrit Haradinaj me personalitete të larta si: Këshilltarin për Sigurinë të presidentit Trump, me senatorin Bob Dole, Madeleine Albright, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Europën Westt Mitchell, Drejtorin e CIA-s Mike Pomeo, takimet në Pentagon me shefin e Gardave Nacionale të SHBA-ve, gjenerali Joseph Lenyel, Znj. Laura Coper nga Departamenti i Mbrojtjes dhe oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë Amerikane, tregojnë mbështetjen e hapur të Amerikës për qeverinë Haradinaj.

Deklarata e kryeministrit Haradinaj në “Zërin e Amerikës”, se serbët do t`i falim, por ata mos të harrojnë çfarë kanë bërë, dëshmon supremacinë e racës shqiptare dhe shpirtin filantropik të tyre.

Po e mbyll këtë kujtesë historike duke perifrazuar poetin Hamit Alia me vargjet e tij:

Mos ma shaj barbar lahutën

Se unë kurrë se kam dasht luftën

S”kam dasht këngë me pushkë e gjak

Gjersa me solle vorrin në prag.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/02/13/kosova-adn-e-qendreses-dhe-identitetit-tone-kombetar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: