Qendra Kinematografike e Kosovës dhe e Shqipërisë do të jenë pjesë e tregut të madh ‘Marche Du Film’ të festivalit prestigjioz të Kanës nga 8-17 maj 2018.

Këtë vit pavioni do të jetë në një hapësirë më të mirë dhe pranë shteteve me industri më të zhvilluar të filmit. Pavioni i dy vendeve do të jetë i vendosur afër shteteve të Europës Juglindore, Republikës Çeke, Sllovakisë, Amerikës, Gjermanisë etj.

Sipas njoftimit për shtyp të QKK-së, në ‘Marche Du Film’ do të prezantohen të rejat e kinematografisë kosovare, si me anë të katalogut, ashtu edhe duke i prezantuar të gjithë filmat e mbështetur nga QKK-ja para producentëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të fondeve të filmit, të festivaleve, agjentëve të shitjes, distributorëve etj.

Gjatë qëndrimit në Kanë do të mbahen shumë takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare, producentë e distributorë të ndryshëm ku edhe pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.Atsh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb