PRISHTINE- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot me anëtarë të qeverisë e drejtues të institucioneve një takim pune për liberalizimin e vizave.

“Gjatë takimit, u vendos që këto institucione, në mënyrë të vazhdueshme të mbikëqyrin adresimin e rekomandimeve të mbetura për liberalizimin e vizave, të cilat pritet të përfundojne deri në fund të muajit nëntor”, bëjnë të ditur burimet zyrtare të qeverisë së Kosovës.

“Në takim, po ashtu, u shpreh përkushtim i plotë për adresimin e rekomandimeve pa humbur kohë, në mënyrë që Bashkimi Evropian, sa më shpejt, të marr vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi i dërguar.

Kryeministri Mustafa zhvilloi takim pune me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Kosova drejt liberalizimit të vizave ka plotësuar 87 nga 95 kriteret teknike, e të gjitha do plotësohen deri në fund të nëntorit 2015. Këtë e ka bërë të ditur kryeminisri Mustafa pas kthimit nga Nju Jorku të premtën e javës së kaluar në Prishtinë dhe takimeve e bisedave që ka pasur delegacioni kosovar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

“Kemi diskutuar çështjet e integrimeve tona në Bashkimin Evropian, veçmas procesin liberalizimit të vizave dhe çështje tjera integruese si dhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

“Mund të them se kemi një përkrahje të plotë, nuk mund të flas tani për afatet, veçmas për liberalizimin e vizave, por konsideroj se ne do t’i përmbushim deri në fund të nëntorit të gjitha kriteret”, shtoi ai në konferencën për shtyp.

“Nga 95 kritere teknike të cilat janë parashtruar para nesh, i kemi plotësuar krejtësisht 87. Kanë mbetur edhe disa, për të cilat do ta bëjmë tani një Task Forcë dhe do të procedojmë me to deri në fund të nëntorit, në mënyrë që të gjitha kriteret t’i kemi të plotësuara krejtësisht, dhe të presim që të merret vendimi politik në nivel të Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri i Kosovës, Mustafa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: