TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte i pari që përshëndeti sot nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së mes Kosovës e BE-së duke e konsideruar një hap historik drejt anëtarësimit në BE.

“Kosova hodhi sot një hap historik në drejtim të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Nënshkrimi i MSA është një arritje madhore e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe një investim i sigurt për interesat kombëtare të shqiptarëve kudo ku janë. Urime Kosovë”,- shkruan Basha në FB.

Pas tij edhe kryeministri Rama e cilëson marrëveshjen një zhvillim historik dhe një fakt kokëfort për frytet e dialogut. “Zhvillim historik për Kosovën nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian (+fakt kokëfortë për frytet e Dialogut)”,- shkruan Rama në Facebook.

Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një bisedë telefonike me homologen nga Kosova, Atifete Jahjaga, duke i përcjellë urimet më të ngrohta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit me Republikën e Kosovës. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është një hap i rëndësishëm ne bashkëpunimin Kosovë-BE. Ai konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës, arritjet e vendit në procesin e shtet-ndërtimit dhe në udhën drejt konsolidimit të demokracisë në vend. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit do të jetë një nxitje për arritje të mëtejshme të Republikës së Kosovës në procesin e reformave te gjithanshme në vend si dhe për të përfituar edhe nga procesi i liberalizimit të vizave.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë vlerëson se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian është një hap i rëndësishëm dhe një lajm i mirë për të gjitha vendet e rajonit, pasi çdo hap i Kosovës në drejtim të integrimit evropian, konsolidon paqen dhe stabilitetin në rajon, nxit politikat e bashkëpunimit rajonal dhe forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

NISHANI URON JAHJAGËN: MARRËVESHJA, GUR THEMELI PËR INTEGRIMIN E KOSOVËS
Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një bisedë telefonike me homologen nga Kosova, Atifete Jahjaga, duke i përcjellë urimet më të ngrohta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”, u shpreh Kreu i Shtetit. Ai shprehu besimin se ky moment do të shërbejë si nxitje dhe katalizator për vazhdimin e reformave të guximshme e të domosdoshme në të gjitha fushat.

Presidenti Nishani u shpreh se përfshirja institucionale e Kosovës në qasjen europiane nëpërmjet nënshkrimit të MSA është një lajm i shkëlqyer edhe për të gjithë rajonin tonë, për të ardhmen e përbashkët europiane si dhe për paqen, stabilitetin dhe ripajtimin në Ballkanin Perëndimor.

Duke uruar edhe një herë Presidenten Jahjaga, dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe gjithë popullin e Kosovës për këtë arritje të madhe, Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë edhe për anëtarësimin e pritshëm të Kosovës në UNESCO më 9 nëntor, dhe në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, duke e siguruar njëkohësisht për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në çdo hap.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: