Kosovë- Kryesia e Degës së AAK-së në Pejë në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së martës ka debatuar ndër të tjerash për çështjen e ndalimit të Kryetarit Haradinaj në Francë dhe për çështjen e Demarkacionit për të cilën po paralajmërohet dërgimi në kuvend për aprovim.

Njoftimi i AAK-së:

Kryesia e Degës, sipas njoftimit për media, ka konkluduar se zgjatja e pakuptueshme e ndalimit të kryetarit Ramush Haradinaj në Francë me akuza të fabrikuara nga Serbia ka arritur pikën e mosdurimit.

Faktet se kryetari Haradinaj dy herë ka dalë i pafajshëm për të njëjtat akuza të shpifura nga Serbia nuk po merren parasysh nga Franca e cila me zgjatjen e procedurave po sjell humbje mirëkuptimi e durimit.

AAK dega në Pejë vlerëson se mbajtja e Haradinaj në Francë është veprim politik që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të Marrëveshjes për ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi e cila Komunës sonë i heqë 8,200 hektarë tokë të cilat me shekuj janë prona apo janë shfrytëzuar nga qytetarët e Rugovës, Podgurit dhe disa fshatrave të Deçanit.

Shqetësimin e tyre për Demarkacion qytetarët e Pejës dhe profesionistët e shumët e kanë treguar me protesta, peticion, me deklarimin e degëve e nëndegëve të partive politike, me paraqitjen e fakteve që janë dërguar Institucioneve të Kosovës por edhe me veprime të tjera përfshirë edhe dy Rezolutat e Kuvendit të Komunës së Pejës ku të gjitha partitë politike unanimisht kanë kundërshtuar ratifikimin e peticionit në këtë version aktual, thotë kumtesa.

Të gjitha këto Qeveria e Kosovës i ka injoruar duke prodhuar komisione e fakte të pavërteta që kinse Peja nuk po humb territor. Tendencat e tilla na kujtojnë udhëheqësit e Kosovës të vitit 1989 kur deklaronin se Kosova nuk po humb asgjë në momentin që asaj i merrej autonomia.

Dega e AAK-së në Pejë ju bën thirrje deputetëve të Kosovës e veçmas atyre nga Peja që mos të bien pre e asnjë presioni por të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të mbrojnë sovranitetin e Shtetit të tyre për të cilin edhe kanë mandatit si përfaqësues të popullit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb