KOSOVË- Çështja e “Demarkacionit” me Malin e Zi vazhdon të jetë “temë e nxehtë” dhe sfidë për politikanët dhe vetë shtetin e Kosovës.

Përveç kundërshtimit të marrëveshjes së “Demarkacionit” nga deputetë të opozitës, një gjë të tillë e kanë bërë publike edhe deputetë të mazhorancës, kryesisht nga radhët e LDK-së.

Por, vota kundër Demarkacionit, mund t’iu kushtojë përjashtimin nga partia. Kështu ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa kohë më parë.
Ai ka deklaruar se deputetët që nuk e votojnë Demarkacionin, më shumë gjasë nuk do të jenë në LDK.

E një gjë të tillë njohësit e çështjeve politike e shohin si jo demokratike, duke thënë se secili deputet ka të drejtë të votojë sipas vullnetit të vet.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se Isa Mustafa mund të marrë masa ndëshkuese ndaj deputetëve të LDK-së, por kjo nuk është demokraci.

“Secili deputet duhet të votojë sipas vullnetit të vet. Kërcënimet dhe shantazhet ndaj tyre janë të papranueshme. Mustafa mund të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj deputetëve që votojnë kundër, por kjo nuk është demokraci. Mustafa po përpiqet të qeverisë me dorë të fortë në LDK, por nuk do t’ia dalë”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka theksuar se nëse deputetët e LDK-së do të votojnë kundër Demarkacionit, me gjasë ata deputetë nuk do të kandidohen nga LDK.

“Ndëshkim nuk duhet të ketë por realisht në Kosovë nëse nuk i bindet liderit gjasat janë të mëdha që këta njerëz të përjashtohen nga kandidatura e ardhshme për zgjedhjet parlamentare. Përndryshe vota pro dhe kundër është liri dhe e drejtë e secilit deputet”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se edhe më parë ka pasur presione rreth “Demarkacionit” nga LDK-ja dhe PDK-ja, por kjo nuk ka pasur sukses.

“Ka pasur presione në LDK por edhe në PDK për bindje që të votohet Demarkacioni por kjo nuk ka pasur sukses”, tha Burjani, duke shtuar se gjendja mbetet tensionuese në LDK për shkak të Demarkacionit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb