Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të kalojë në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar që do të paraqitet marrëveshja dhe raporti i komisionit të ri, mirëpo votat nuk janë për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe gjasat janë të mëdha që të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar.

“Marrëveshja do të rrezohet në parlament. Me këtë i hapet rruga ose arbitrazhit ndërkombëtar ose negocimit të një marrëveshje të re me Malin e Zi. Dëshira ime është që të merremi vesh me Malin e Zi për arbitrazh ndërkombëtar, e përmes kësaj tregojmë që është hapur një proces që do ta përmbyll këtë temë, gjë që do të na mundësojë liberalizimin e vizave” ka thënë Ramush Haradinaj në një intervistë në Zona e Debatit në Klan Kosova.

Më tej Haradinaj ka folur edhe për vizitën e kongresmenit amerikan në Kosovë, Eliot Engel, me ç’rast ka thënë që fokusi i diskutimit në mes tyre ishte dialogu i Kosovës me Serbinë.

“Ka ardhur koha për përgjigje finale për dialogun, për njohje reciproke, të kalojmë në fazën finale e të njihet pavarësia e Kosovës. Diskutimi me Eliot Engel ishte një lloj vazhdimi i një bisede që ka të bëjë me të ardhmen e përmbylljes së njohjes nga Serbia”, deklaroi Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb