KOSOVË-Deputeti i Vetëvendosje, Albin Kurti është liruar dy orë pas arrestimit nga policia e Kosovës. Sipas njoftimit të lëvizjes Vetëvendosje presioni qytetar liroi Albin Kurtin, ndërsa sipas tyre fitorja është e pashmangshme sepse pushteti gjithmonë dorëzohet para vendosmërisë qytetare. Arrestimi i Albin Kurtit shkaktoi trazira, pasi përkrahësit u përleshën me policinë duke kërkuar lirimin e tij.

Deputeti i Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa i është drejtuar përkrahësve që protestuan për lirimin tij, ka treguar në detaje për arrestimin:

“Sonte rreth orës 21:00, në fshatin Çagllavicë e kanë dal makinën në të cilën kemi qenë, dhe policët kanë thënë se kanë fletarrest për mua. Mirëpo polici nuk më dha kurrfarë teksti. Ai nuk u prezantua. Meqë ne nuk dolëm nga makina pa na dhënë fletarrestin, na nxorën me dhunë, duke na thënë se në stacionin e policisë do të na dhënë fletarrerstin”, ka thënë Kurti.

“As aty nuk na dhënë fletarrestim. Nuk erdhi as prokurori. Unë u ndalova, u arrestova pa asnjë dokument. Ky është një arbitraritet i plotë. Kjo dëshmon se policia është bërë politike, e politika është bërë policore”, ka thënë Kurti, teksa ka inkurajuar të mbledhurit aty që të mos të ndalen së protestuari.
“Nuk kam pranuar as avokat mbrojtës e as nuk kam pranuar t’i përgjigjem pyetjeve të këtyre hetuesve”, ka thënë Kurti.

Konjufca bën përgjegjës Isa Mustafën për arrestimin e Kurtit

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme para Kuvendit të Kosovës, bashkë me shefet e deputetëve të AAK-së e të Nismës.

Ai ka thënë se do të qëndrojnë në protestë deri në lirimin e Kurtit.

Konjufca ka thënë se përgjegjës për arrestimin e Kurtit është kryeministri Isa Mustafa. Arrestimin e Kurtit ai e ka quajtur kryekëput politik.

Konjufca ka thënë se nuk mund të krahasohet hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës me atë të policëve ndaj qytetarëve.
Konferenca është mbajtur para Kuvendit, meqë aty nuk janë lënë të hynë gazetarët.
“Kjo dëshmon kemi të bëjmë me një sistem diktatorial”, ka thënë Konjufca.

“Meqë na e ndaluan për të hyrë në Kuvend bashkë me gazetarët atëherë po e mbajmë konferencën para hyrjes së Kuvendit. Është arrestuar një deputet i shquar i Kuvendit, dhe ne jemi shumë të shqetësuar me këtë gjest. Paralajmërojmë Isa Mustafën, që është përgjegjës për kidnapimin e Albin Kurtit, që ta lirojnë Kurtin”, tha Konjufca.

Gazetarëve u foli edhe deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi.
“Po mundohen të na mbyllin dyert e Qeverisë dhe tash po mundohen të ua mbyllin gojën edhe gazetarëve duke mos ua hapur dyert e Kuvendit. Do të jemi këtu, sepse jemi në anën e drejtë, dhe kërkojmë që menjëherë të lirohet Kurti, i cili i ka vendet në seanca dhe në karrigen e deputetit e jo në burg.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: