Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, nis përgatitjet për mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Maqedonisë dhe për këto përgatitje autorizoi sot zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj.

Përgatitjet nisin pas vizitës në Kosovë të martën e kësaj jave të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili ka ftuar kryeministrin Haradinaj që në fillim të vitit të ardhshëm ta vizitojë Maqedoninë si dhe për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo do jetë mbledhja e parë e qeverisë së Kosovës me qeverinë e Maqedonisë, ndërsa vizita e Zaev ishte e para e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.

“Me Republikën e Kosovës kemi nënshkruar 19 marrëveshje dypalëshe dhe 16 dokumente të ndryshme, në pritje janë edhe 20 marrëveshje për t’u firmosur dhe e gjithë kjo në interes të qytetarëve të shteteve tona”, tha kryeministri i Maqedonisë Zaev gjatë vizitës në Prishtinë.

Maqedonia është shteti i 49-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

Qeveria e Kosovës deri tani ka mbajtur mbledhje të përbashkëta vetëm me qeverinë e Shqipërisë, gjithsej 4, së fundi në 27 nëntor 2017 në Korçë, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 dhe të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi 8 projektligje dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore. Një nga projektligjet e miratuara është ai për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës rajonale të administratës publike (ReSPA). Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Objektivat e kësaj Shkolle janë: përmirësimi i bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së; fuqizimi i shkëmbimit të përvojave; fuqizimi i kapaciteteve administrative në administratat publike dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administrata publike të vendeve nënshkruese.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj informoi kabinetin qeveritar për procesin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kosova është duke bërë përgatitjet preliminare për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, institucion që ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat evropiane. Rekomandohet krijimi i një task force për bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale, mes Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për miratim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar Ushtarak me Protokollet Implementuese në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Kryeministri ka paralajmëruar ministrat dhe i ka ftuar që të jenë prezentë në takimin e kabinetit qeveritar të mërkurën e javës së ardhshme, kur do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb