KOSOVË- Është dashur ndërhyrja e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë mbushur sot rrugët e Prishtinës duke kërkuar shkarkimin e ministrit serb Jabllanoviç. Gjatë orëve të pasdites, megjithëse ishte njoftuar në orën 16:00 mbyllja e protestës, pati një përshkallëzim të saj dhe demonstruesit kanë hedhur sende të forta dhe gurë mbi godinën e qeverisë kosovare. Për shkak të këtij përshkallëzimi është dashur ndërhyrja e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë shpërndarë turmën.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte thirrur protestën, tha se kanë marrë pjesë rreth 30 mijë qytetarë. Marshimi i protestuesve ka nisur para pallatit të Kulturës, më pas para Bibliotekës dhe në përfundim protestuesit janë ndalur tek sheshi “Skënderbe”, para institucionit të qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka njoftuar se në protestën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë merrnin pjesë rreth 7.000 protestues, ndërsa figura të njohura politike dhe jo vetëm, kanë mbajtur fjalime. Gjatë kësaj kohe një pjesë e protestuesve kanë hedhur sende të ndryshme, shishe birre e gurë në drejtim të objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Si pasojë e gjuajtjes së sendeve të forta, në bazë të informacioneve të deritanishme janë lënduar 19 efektivë të policisë, si dhe janë dëmtuar xhamat e objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Po kështu janë dëmtuar edhe disa lokale.

Njësitë policore kanë vepruar duke ndaluar protestuesit që në forma të dhunshme kanë tentuar të hyjnë, të dëmtojnë objektin e Qeverisë. Mediat kosovare raportojnë se mbi 40 persona janë shoqëruar në stacionin e policisë.

Demonstruesit kanë hedhur parrulla të shumta me anë të të cilave kanë kërkuar shkarkimin e Jabllanovic si dhe shtetëzimin e Trepçës. “Isën e japim, Trepçën se japim”, “Jasht, jasht, jasht Jabllanoviç”, kanë qenë disa prej parrullave të përdorura nga protestuesit. Ndërkohë që protesta të këtij lloji ka patur edhe në qytete të tjera të Kosovës.

VETEVENDOSJA DENON PRISHJEN E LOKALEVE

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përfundimit të protestës duke dënuar ashpër prishjen e lokaleve private në sheshin “Skënderbe”. Vetëvendosja ka përsëritur edhe njëherë ultimatumin për qeverinë e Kosovës.

“Në protestën tonë të organizuar për sot ne i kemi dhënë ultimatum Isa Mustafës që brenda 48 orëve, pra deri në ora 16:00 të së hënës ta shkarkojë Jabllanoviçin dhe ta sjellë në Kuvend Ligjin që e shndërron Trepçën në ndërmarrje të veçantë publike, për të cilën vendimet i merr Kuvendi i Republikës së Kosovës. Me këtë ultimatum ka përfunduar protesta e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE dhe Thirrjet e Nënave.

Ato që kanë ndodhur jashtë marshit dhe skenarit për të cilin ishim dakorduar nuk janë pjesë e protestës. Një grup i vogël njerëzish në protestë nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Po ashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh. Gjithashtu, duam të potencojmë që dy protestuesit e arrestuar nga Policia e Kosovës nuk janë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në njoftim.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb