KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka qenë gjatë të premtes në qytetin e Vushtrisë ku është takuar me banorët dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre, nisur edhe nga ikjet e fundit masive të kosovarëve drejt vendeve të BE-së.

“Vizitë Vushtrrisë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve tanë, për t’u thënë që Kosova është vendi i tyre. Na duhet edhe një shtytje për ta bërë Kosovën vend siç e dëshiruam. Pa ju, Kosova nuk mund të bëhet”, ka shkruar presidentja në profilin e saj në Facebook.

Jahjaga ka postuar edhe dy foto në Facebook, duke u takuar me qytetarët. Në njërën prej këtyre fotove shihet një burrë i lagur nga shiu që qan dhe i mban dorën presidentes Jahjaga. Ndërkohë personi që i ka dhënë dorën Presidentes së Kosovës ka thënë për mediat kosovare se “i ka kërkuar ndihmë ish-të dashurës”, për ti gjetur një punë në polici.

“Për hir të asaj dashurie që e kemi pasur e luta që të më gjejë një punë ose të më mundësojë të iki larg nga këtu”, ka thënë ai. Por presidentja duket se nuk i ka dhënë ndonjë reagim pozitiv. “Ajo vetëm më shtrëngoi dorën dhe me sy ma bëri me dije që nuk mundet me ba asgjë”, ka thënë i përlotur “ish-i dashuri” i presidentes.

Personi në fjalë ka pohuar se ka pasur një lidhje të gjatë 2-vjeçare me Atifete Jahjagën gjatë kohës së studimeve. Vetë Presidentja nuk ka dashur të prononcohet rreth kësaj çështjeje.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: