NGA FATMIRA NIKOLLI
Kostë Çekrezi është ndër të parët shqiptarë të diplomuar në universitetin e Harvardit. I konsideruar si shqiptari më me ndikim në Washington, sipas botuesit Naim Zoto, ai ishte i parapëlqyeri i amerikanëve (madje, i projektuar si një kryeministër për një Shqipëri Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore) dhe themelues e drejtues i disa gazetave në Amerikë e Shqipëri.

Prej 2 marsit 1920, Çekrezi u akreditua nga qeveria e Kongresit të Lushnjës si Komisioner i Shqipërisë në SHBA. Sipas studiuesit amerikan Stephen Peters, “po të mos kishte qenë këmbëngulja sistematike dhe e pandërprerë e “Vatrës” në përgjithësi dhe e shqiptarëve të veçantë – ku, padyshim, ndër më të angazhuarit është Kostë Çekrezi – Shqipëria, ndoshta, do të kishte qenë edhe për Presidentin Wilson “një shprehje gjeografike”, siç kishte qenë për princin Otto Bismark në shekullin e kaluar”.

Zoto tha se autorët e librit “The Albanian Struggle” e kanë cilësuar Kostë Çekrezin si “një nga katër liderët e komunitetit shqiptar të Amerikës, pas Faik Konicës, Fan Nolit dhe Kristo Dakos”, ndërsa vet Fan S. Noli do ta rendiste “ndër tre njerëzit që mund t’i sillnin dobi fatit të Shqipërisë” dhe “punëtori më i madh që ka nxjerrë Përlindja Shqiptare”.

Sipas Zotos, “se cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhet mësuar jo nga ç ‘thonë fqinjët, rivalët apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm – zërit të vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të Kostë Çekrezit. Ai na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari… Sepse, me sa di unë, ky është i pari libër i një shqiptari për Shqipërinë që ka dalë në gjuhën angleze”, shkroi Charles D. Hazen, Universiteti i Columbia-s, në parathënien e librit të K. Çekrezit: “Albania; past and present”, 1919″.

KONCESIONET
Në promovimin e bërë dje në Akademinë e Shkencave, Tiranë, ku morë pjesë historianë, dashamirës dhe miq të tij, i pari e mori fjalën prof. dr. Aleksandër Meksi, ish-kryeministër. Sipas tij, “qenia e tij kundërshtar i regjimeve autoritariste, pushtuese e diktatoriale ia mohoi këtë vend për më se një gjysmëshekulli me heshtje dhe harresë të qëllimshme. Në Shqipëri mbizotërojnë mitet, heronjtë kordhëtarë që vetëm ata kanë luftuar pushtuesit duke i mundur, vetëm ata bënë pavarësinë, shtetin e diktaturën, të mirat e të këqijat etj. etj. Po kështu në arte, letërsi e shkenca”.

Sipas tij librat: “Shqipëria; e shkuara dhe e tashmja”, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, “Letra shkresa dhe fjalëtore” në origjinal dhe “Udhërrëfyes në komunikim”, si dhe kjo monografi mbi jetën dhe veprën e Çekrezit, “Kostë Çekrezi – I treti, i munguari” e shkrimtarit Andon Andoni, flasin për seriozitetin dhe përpjekjet për ta sjellë edhe njëherë sërish në jetën e sotme këtë njeri të palodhur, erudit të përkushtuar ndaj fateve të mëmëdheut. Ato ndihmojnë për të njohur një tjetër shqiptar që u përpoq për Shqipërinë e la vepra me vlerë për të”, konkludoi ish-kryeministri.

Në vitin 1925 kthehet në Tiranë dhe nis botimin e gazetave “Telegraf” dhe “Ora” deri në vitin 1932. Aleksandër Meksi sqaroi se ai, Çekrezi, e kundërshtoi rreptësishtë qeverinë e Zogut për koncesionet në favor të Italisë, edhe pse kohë më parë ia ka rritur kredencialet duke e proklamuar mbret në “Asosacion Press” të Vjenës në shtator të 1928, por arrestohet dhe burgoset vetëm 13 ditë më pas po nga ai mbret që kishte shuguruar.

Për herë të parë, mësohet se edhe ky, si shumë intelektuale dhe patriotë të kohës, e vlerëson kryeministrin Ahmet Zogu, por, pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Italinë në vitet ’30 në dëm të Shqipërisë bëhet kundërshtari më i rreptë i tij.

Është ndër udhëheqësit kryesorë në kryengritjen e Fierit për rrëzimin e monarkisë, por me dështimin e saj emigron në Evropë, deri në vitin 1941, kur rikthehet në Amerikë. Themelon shoqërinë “Shqipëria e Lirë” si dhe një qeveri shqiptare në mërgim. Polemikat me Konicën dhe Nolin, tashmë institucionale vetëm mbi çështjen e njohjes së Shqipërisë nga Amerikë dhe mos rikonfigurimin e mbretit Zog pas Luftës së Dytë Botërore, janë ato që e bëjnë një ndër më të pëlqyerit në Washington.

DEBATET ME MEHMET SHEHUN
Aleksandër Meksi tha se tek i ashtuquajturi “Komploti i Fultzit” në vitin 1946, të cilin Çekrezi e njihte së afërmi e për të cilin shprehet se e vetmja pazotësi e tij ishte të komplotonte kundër kujtdo, e jo më ndaj një qeverie e regjimi, i dha fund përpjekjeve për njohjen, edhe pse Çekrezi, trokiti fort në derën e shurdhët të komunistëve shqiptarë me në krye Tuk Jakovën, në misionin e tyre të vitit 1947.

Situatat sipas Meksit, e kishin zanafillën që në luftën e Spanjës dhe kampin e përqendrimit në Francë në 1941-shin ku në një sherr me Mehmet Shehun, në barakën nr. 38 ky i fundit deklaronte se; “për të rrënjosur komunizmin në çdo vend, qoftë e sidomos në Shqipëri do të jetë e nevojshme të shfarosen të gjithë elementët kundërshtarë, në mënyrë që të mbeten vetëm ata që besojnë pa asnjë rezervë në dogmën e komunizmit” dhe kur Çekrezi e pyeti; “po nëse shumica e popullit është kundra”, Mehmet Shehu ia kthente pa mëdyshje dhe me gjakftohtësi se “atëherë shumica duhet shfarosur”.

VLERËSIMET
Prof. dr. Hamit Kaba, nga Instituti i Historisë, Tiranë, u përqendrua në vlerësimet për monografinë e Andon Andonit me titull “I treti, i munguari”, kushtuar Kostë Çekrezit. Sipas prof. Kabës, “libri plotëson kështu trekëndëshin e tre burrave të mençur të kombit tonë në Amerikë, të cilët përfaqësonin anët më të mira të shqiptarëve, por edhe tipin e sertë, sedërli e polemist deri në ekstrem. U desh ky botim që të na tregonte neve, bashkëkombësve të tij, atë që të tjerët e dinin përpara nesh, se Kostë Çekrezi qëndron përkrah Nolit e Konicës – si udhëheqës natyralë të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar”.

Ndërsa prof. dr. Shaban Sinani u përqendrua te vlerat e librit “Udhërrëfyes për komunikim” të Kostë Çekrezit. Mes të tjerash, studiuesi tha: “Në vitin 1917, thuajse në të njëjtën kohë që shkruante monografinë e njohur Shqipëria: e shkruara dhe e tashmja, që i ishte porositur nga Harvard University, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të njohur popujt e vegjël të Europës së vjetër, nga do ta kishte burimin parimi i vetëvendosjes, shpallur nga Woodrow Wilson në Konferencën e Versaille-s (1919), Konstantin Chekrezi, që njihet ndër ne (për aq sa njihet) si Kostë Çekrezi, përgatiti dhe botoi një prej librave më të pashoq në historinë e shkrimeve shqip, titulluar “Letra, shkresa, fjalëtore”. Ai i cilësoi një trini të rrallë, që veproi e krijoi në SHBA, si F. Noli, F. Konica dhe ai vetë, por edhe për të njëjtin qëllim për të cilin u shkrua kryekrejet, si një lehtësi pune për të gjithë ata që duan të përcjellin kumte me shkrim tek njëri-tjetri: vetjake e familjare, formale e zyrtare, popullore e elitare, publike e të pashpallura.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: