TIRANE– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashti siç edhe kishte njoftuar më herët, ka nisur vendosjen e masave ndëshkimore për partitë politike që nuk respektuar parimin e barazisë gjinore në listat e deputetëve për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Në mbledhjen e sotme, KQZ shqyrtoi dhe miratoi proejktvendimin, “Për vendosjen e sanksionit administrativ për barazinë gjinore në listat shumemërore të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25.06.2017”.

Me përfundimin e analizës, KQZ ka vijuar me zbatimin e masave penalizuese.

E para që është njohur me masën ndëshkuese ndaj saj, është Partia Deokratike.

“KQZ vendosi sanksionin administrativ për subjektin zgjedhor Partia Demokratike në masën 12.000.000 lekë për mospërmbushjen e detyrimit të parashikuar nga neni 67, pika 6 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për 12 zonat zgjedhore”, njofton KQZ.

Ndonëse PD nuk pati shumë kohë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet, pasi vendimi për pjesëmarrjen në zgjedhje u mor pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit, debatet për emrat e përfshira në to vijojnë edhe sot.

Përtej këtij debati, vendimi i sotëm i KQZ tregon se PD nuk ka arritur të hartojë një listë që respekton parimin e barazisë gjinore, i cili është një nga pikat e Kodit Zgjedhor, moszbatimi i të cilit parashikon penalizimin me gjobë.

NJOFTIMI I KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi proejktvendimin, “Për vendosjen e sanksionit administrativ për barazinë gjinore në listat shumemërore të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25.06.2017”.

KQZ vendosi sanksionin administrativ për subjektin zgjedhor Partia Demokratike në masën 12.000.000 lekë për mospërmbushjen e detyrimit të parashikuar nga neni 67, pika 6 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për 12 zonat zgjedhore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb