TIRANE-Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka sqaruar dje takimin me Ben Blushin, takim i cili u lexua si një aleancë e re kundër Edi Ramës.
Spahiu shprehu habinë se pse Ramës i kishte bërë përshtypje takimi i tij me Blushin, ndërsa shtoi se Rama i është lutur për të pirë kafe. “Është sjellë në këto momente për të goditur Ben Blushin. Dhe më vjen keq që është përdorur një kafe për këtë gjë, ndiej vërtetë keqardhje për këtë gjë. Por është me të vërtetë e çuditshme se si në Partinë Socialiste është konsideruar krim një kafe me Kreshnik Spahiun. Por mirë pyetja lind, kur Edi Rama rinte në radhë për të pirë kafe me mua dhe më lutej a e pimë tek Sheratoni, s’më linte kurrë edhe për ta paguar, pse nuk ishte krim që të pije kafe me Kreshnik Spahiun”, ka theksuar Spahiu. Kryetari i AK ka shtuar se me Blushin njihej prej 20 vitesh.

“Çështja është e kujt takimi, se unë takimin e parë e kam pas me Ben Blushin në vitin 1990, para 20 vjetësh dhe e kam shumë të vështirë tani të mendoj të gjitha takimet dhe kafet që kam pirë me Ben Blushin, ku i kam pirë, si i kam pirë dhe për çfarë kemi diskutuar. Ajo që mund të them është se Ben Blushi nuk është një kryetar partie që unë mund të ulem dhe të bëj një marrëveshje politike. Unë jam kryetar i një force politike që negociatat, marrëveshjet mund t’i bëj vetëm me drejtues të subjekteve politike, jo me individë. Sigurisht që unë mendoj që Ben Blushi mbetet një vlerë shoqërore, sociale, politike, është kënaqësi ta kesh mik”, ka deklaruar Spahiu.

Kreu i AK ka folur edhe për protestat kundër Erion Veliajt. “Protestat që do të vijnë do të jenë shumë radikale, do të jenë shumë më ekstreme. Që ta dini atë ditë asnjë nga bashkëpunëtorët nuk ka pasur dijeni për aksionin, për shkak se ne kemi pasur një aksion të dështuar, ka pasur një tentativë për të goditur Erion Velinë një javë më parë. Dhe tentative ka qenë pranë Liceut Artistik, janë ndaluar 10 aktivistë. Për ta goditur më një kovë me fekale. Dhe në moment policia i ka sekuestruar armën e zjarrit siç e quanin ata dhe kanë ndaluar aktivistët tanë sepse na kishin përgjuar dhe na kishin dekonspiruar në aksion. Do të ishte një nga aksionet më brilante dhe do të hynte në rekordin Guines. Dhe e keni parë që nuk del më live”, tha Spahiu.
Arrestimi
Spahiu theksuar dje se pas arrestimit të tij fshihet Saimir Tahiri. “Patjetër po se si. Ti mendon se këto i bëri kapteri i lagjes. Unë nuk mendoj. Por nuk mendoj se mund të vijë kapteri i lagjes dhe të thotë kemi urdhër nga ministri i Brendshëm. Po ishte i detyruar ai që ta thoshte. Sepse ai kishte dhe një mandat, foli në telefon dhe me ministrin e Brendshëm, por për hir të së vërtetës, se nuk jam këtu unë për të akuzuar Saimir Tahirin. Policia e Shtetit përfshirë dhe Ministrinë e Brendshme, sepse brenda 20 minutash policia bashkiake kishte dorëzuar një kallëzim, denoncim ndaj kreut të AK-së dhe 7 aktivistëve të tjerë. Ishin të detyruar që në bazë të atij denoncimi të kryenin veprimet. Në komisariat patëm një komunikim etik, sepse policia është me ne. Ushtarakët dhe policia shumë shpejt të jeni të bindur do t’i shikoni në rresht në revolucionin demokratik në Shqipëri, se revolucioni demokratik nuk bëhet vetëm me të papunët”, tha Spahiu. |

(GazetaSot/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: