SHKUP-Presidenti Gjorge Ivanov, sipas Kushtetutës, është i obliguar që ta dekretojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, deklaroi kryeparlamentari Talat Xhaferi, një ditë pasi Ivanov tha se përsëri nuk do e nënshkruaj ligjin pasi ai është jo-kushtetues. Xhaferi thotë se ligji është miratuar në mënyrë ligjore dhe se Ivanovi me mos dekretimin eventual të tij, do të bëjë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Neni 75 i Kushtetutës së Maqedonisë është i qartë. Pas votimit të përsëritur me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Parlament, si rasti i djeshëm me ligjin, Kryetari i shtetit është i obliguar që ta nënshkruaj dekretin për miratimin e ligjit. Në të kundërtën do t’i shkel dispozitat ligjore” – tha Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit.

Profesori Universitarë Temelko Risteski thotë se akti më i lartë juridik në shtet është Kushtetuta dhe e njëjta duhet të respektohet edhe nga Presidenti Ivanov, duke aluduar në nënshkrimin e dekretit. Sipas Risteskit, Ligji për përdorimin e gjuhëve është përpiluar në suaza të kornizave kushtetuese.

“Shpallja e ligjit me vetëm nënshkrim të krye parlamentarit është e mundur duke pasur parasysh se ligjin e kanë sjell deputetët që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve, faktikisht ky është vullnet i shumicës së qytetarëve të Maqedonisë, por kjo do të ishte një precedence e rëndë pasi që Kushtetuta parasheh edhe nënshkrimin e Presidentit. Megjithatë, Presidenti e ka për obligim të nënshkruajë ligjin, sepse me atë, ai do t’i respektojë edhe shumicën e qytetarëve të Maqedonisë. Unë mendoj se amendamenti i V është i inkuadruar me shumë kujdes në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Nga ky aspekt, nuk shohë mundësi për intervenim nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë ligj” – u shpreh Temelko Risteski, profesor Universitarë.

Juristi Naser Ziberi thotë se në rast së Ivanov nuk dekreton ligjin, ai mund t’i niset Gazetës Zyrtare vetëm me nënshkrimin e kreut të Kuvendit.

“Kjo do të paraqesë edhe njëherë shkelje të detyrës zyrtare që paraqet vepër penale. Fatkeqësia qëndron se Kuvendi nuk ka shumicë të mjaftueshme për të inicuar shqyrtimin e përgjegjësisë së Ivanovit dhe për t’ia propozuar gjykatës Kushtetuese shkarkimin e tij, por kjo nuk do të thotë se Presidenti nuk do të vihet para ligjit ose para gjykatës për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rast të refuzimit të nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjit. Shumicës parlamentare tanimë nuk i mbetet rrugë tjetër përveç se me nënshkrim vetëm të kryetarit të Kuvendit, t’i drejtohet Gazetës Zyrtare për shpallje të ligjit, kuptohet pas afatit 8 ditorë që e parasheh Kushtetuta. Aprovimi i ligjit është çështjeje e kryer dhe kthim prapa nuk ka. E vetmja rrugë është për të pakënaqurit, është iniciativa për vlerësimin e Kushtetutshmërisë në organin kompetenten për këtë çështje. Çdo veprim tjetër do të ishte antikushtetues dhe kundër rregullores së punës së parlamentit” -u shpreh Naser Ziberi, jurist.

Osman Kadriut, anëtar i Gjykatës kushtetuese thotë se presidenti duhet të dekretoj ligjin, por nëse këtë nuk e bënë atëherë duhet kërkuar forma të tjetra për fuqizimin e ligjit.

“Për mendimin tim presidenti e shfrytëzoi njëherë të drejtën e vetos dhe tani sipas Kushtetutës së vendit mendoj se presidenti është i obliguar ta nënshkruajë ligjin. Sa i takon situatës që mund të krijohet nëse ligji për gjuhët përsëri nuk firmoset nga presidenti Gjorgje Ivanov, jam i siguritë se në pjesët e Rregullores së Kuvendit, të Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin parashikohet se si të veprohet në rastet e tilla, që më pas ligji të mund të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe ligji të hyjë ne fuqi” – u shpreh Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, njofton Alsat M.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua dje për herë të dytë në një situatë të tensionuar. Ai mori mbështetjen e shumicës me 64 vota të deputetëve, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: