TIRANE – Prokuroria e Durrësit ka publikuar sot vërtetimin që konfirmon se kreu i OSHEE-së Ardian Çela nuk është nën hetim, sikurse pretendon Partia Demokratike. Ndërkohë burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se nën hetim është dosja e Bashkisë së Durrësit për tenderat, e cila i ka kaluar prokurores Elena Bakellbashi.

Vetë administratori i ri i OSHEE-së i cilësoi tërësisht politike akuzat e PD-së ndaj tij, duke theksuar se nuk ekziston asnjë çështje për të cilën ai të jetë nën hetim nga prokuroria.
“Këtu jam si administrator i OSHEE-së, kam një objektiv të qartë të çoj përpara performancën e kësaj kompanie. Kjo perfomancë nuk synon vetëm të rrisë të ardhurat e kompanisë, por të ulë shpenzimet e qeverisë në këtë sektor. Përsa i përket akuzave jam fare i qetë dhe i ftohtë. Për akuza konkrete unë mund t’ju them që jam i pastër, kam deklaratën ku vërtetohet se nuk kam asnjë çështje nën hetim dhe nuk jam nën hetim.”- deklaroi Çela.vertetimi

Sipas Partisë Demokratike, kreu i ri i OSHEE-së është person nën hetim për korrupsion nga prokuroria e Durrësit, pasi ka bërë favorizime në tendera.

Ndër të tjera, gjatë deklaratës së shkurtër për mediat, kreu i OSHEE-së bëri të ditur se formula e re e pagesës së faturave të prapambetura të energjisë ka nisur të aplikohet që prej ditës së djeshme dhe numri i aktmarrëveshjeve është dyfishuar.

“Sot ka një fluks të papërballueshëm. Janë shtuar mbi 20 sportele në Tiranë, fluksi është i papërballueshëm. Ka afat nuk mbaron afati sot, do të punojmë edhe në fundjavë. OSHEE-ja do tu përgjigjet kërkesave të klientit.”- u shpreh Çela.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb