Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |
FLASH

Kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve: Propozimet e reja për dekorim. Kërkesat më të shumta, për nacionalistët

simon miraka

NGA: VALENTINA MADANI
Simon Miraka, kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë nuk ka mbetur i befasuar nga debati që e shoqëroi përgjatë gjithë këtyre ditëve dekorimin nga presidenti Nishani i nacionalistëve të pushkatuar më 21 tetor 43 në Lushnje. Z.Miraka thotë për “Gazeta shqiptare” se propozimet u bënë në bazë të dokumenteve zyrtare dhe se momenti i zgjedhur kishte të bënte me 73-vjetorin e masakrës. Ai tregon se shoqata e tij ka bërë edhe propozime të tjera për dekorim të 4 intelektualëve që kanë studiuar në Perëndim, por që komunizmi i burgosi.

Z.Miraka, si e pritët debatin që shoqëroi dekorimin e Ballit nga kreu i shtetit? E menduat këtë para se të bënit propozimet tuaja?
Gjatë propozimeve tona, ne iu referuam dokumenteve zyrtare dhe dekorimi përkoi me 73-vjetorin e masakrës së 21 tetorit të vitit 1943. Ishte një ngushëllim për familjarët e viktimave të asaj masakre të përgjakshme. Presidenti i vendit respektoi të drejtën e tij kushtetuese, ndërsa debati që erdhi nga nostalgjikët e komunizmit nuk më çuditi aspak.

Shoqata juaj a ka bërë propozime të tjera për dekorim?
Po, kemi bërë edhe 4 propozime të tjera prej kohësh. Jemi në pritje të reagimit të Presidentit të Republikës.

Për cilët bëhet fjalë?
Kemi çuar propozim për dekorimin e tre vlonjatëve, Hysni Alimerko, Isuf Hysenbegasi, Kudret Kokoshi dhe të kolonjarit Avni Begova. Që të katër, intelektualë të shquar që e deshën Shqipërinë, kishin studiuar jashtë, njerëz të formuar në Perëndim, por që diktatura i persekutoi në mënyrë çnjerëzore. Prej tyre jeton vetëm z.Avni Begova, i cili sot është në një moshë të thyer dhe ka bërë mbi 20 vite burg në komunizëm. Alimerko ka studiuar në Bolonjë, Hysnebegasi ishte doktor. Në vitin 1941 shkoi për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence. Viti 1945 e gjeti në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vitesh tortura të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai, Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vitesh burg. Kudret Kokoshi ishte poet epik dhe përkthyes brilant. Është e veçantë dhe shembullore mbrojta që bëri Kudreti, jo si jurist, por si atdhetar me shpirt të madh, duke interpretuar në gjyq poezitë e tij me frymë antifashiste. Vendimi me pushkatim nuk u realizua, si pasojë e presionit të fuqishëm mbarëshqiptar, brenda e jashtë kufirit shtetëror dhe u kthye në burg të përjetshëm, por me trysninë e vijueshme popullore më pas u ul në 21 vite burg. Dhe pas burgut famëkeq pa frikë vijoi me vendosmëri, eci në rrugën e dritërimit të shoqërisë.

Kush i bën propozimet për dekorim?
Shoqatës i vijnë nga familjarët e tyre ose pushteti vendor, sepse ata i njohin më mirë. Ne ia përcjellim Institucionit të Presidentit propozimet tona.

Ndodh që të refuzohet ndonjë emër nga kreu i shtetit?
E kalojnë në heshtje, jo se thonë ky emër nuk do të dekorohet. Nuk kthejnë përgjigje pozitive. Presidenca ka një komision të saj të posaçëm, që merret me këtë çështje. Ata gjykojnë se kush duhet të dekorohet dhe cilët jo. Në rastin e dekorimit, ky institucion na njofton ne si shoqatë për orarin e ceremonisë.

Cilat kategori, nëse mund t’i quajmë kështu, marrin vëmendjen e shoqatës e më pas të presidentit?
Janë kryesisht kërkesa për nacionalistët, intelektualët që i kanë shërbyer vendit. Ka kërkesa nga më të ndryshmet, të cilat më parë kërkojnë miratimin e pushtetit vendor, sepse ata i njohin më shumë se sa ne. Por, vijnë edhe familjarë që propozojnë emrat e të afërme të tyre, që janë pushkatuar pa gjyq ose burgosur padrejtësisht me vite të tëra në burgjet komuniste.

A mendoni se tashmë Shqipëria është distancuar nga krimet e komunizmit?
Unë mendoj se Shqipëria ende nuk është distancuar nga diktatura. Së pari, duhet bërë dekomunistizimi dhe më pas dekriminalizimi do të jetë më i lehtë. Pushtetarët e sotëm në radhë të parë duhet të kërkojnë falje për ato çka paraardhësit e tyre politikë kanë bërë gjatë periudhës së komunizmit. Përfshirja në programin e PS-së të shtrese sonë, “se ajo do t’a zgjidh çështjen tonë”, s’është gjë tjetër vetëm një hipokrizi. PS-ja dhe vetë kreu i saj në të gjitha ligjet si në atë të Rezolutës Evropiane, për dënimin e krimit të komunizmit, të ligjit të lustracionit e të dëmshpërblimit, ka votuar kundra. Ne kurrë nuk mund t’u besojmë socialistëve të Ramës.
(Gazeta Shqiptare)


Komente ( 2 )

  • RESPEKTE SIMONIT TE VETMIT KRYETAR SHOQATE I PAPERLYER DHE I PAKORRUPTUAR.
    PJESA TJETER QE MENDOJNE SE KY I SHERBEN SALIUT JU THEM SE S’JENI ASPAK ME TE MIRE SE KRYEAGJENTI I UDB NE SHQIPERI SALI BERISHOVIC.
    DUHET TE ISHTE SIMONI MINISTER E DEPUTET DHE JO MBETURINAT E KUQE

  • o pleh pse s ja kerkove dosjet saliut.pse si dekoroi saliu.pse su dha paret saliushtepine ne iballe a e more …te persekutuarit i percave…plehra si ty i bejne pune saliut..rri urte



Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.