TIRANE- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat pak pas mbarimit të tryezës së partive opozitare, deklaroi se fronti i krijuar do t’i shpallë ‘luftë’ kryeministrit Edi Rama, duke marrë shkas edhe nga çështja ‘Tahiri’. Kryemadhi theksoi se situata aktuale në Shqipëri është fatkeqësi për vendin, ndërsa tregoi edhe rolin e frontit opozitar që u krijua sot mes partive që nuk janë në pushtet.

“Tryeza që u krijua sot ishte një sinjal shumë i mirë për të gjithë opinionin publik jo vetëm për partitë politike por për mediat për shoqërinë civile, për qytetarët. Për ata që bojkotuan zgjedhjet, për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre sepse tani ky front do të nisi të gjithë angazhimin e tij për të pasur një aksion politik që është shumë i rëndësishëm”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se protestat i takojnë popullit dhe jo partive politike.
“Përsa i përket protestave, protestë nuk bëjnë partitë politike. Partitë politike bëjnë manifestime por protestat vijnë nga populli të cilët e ndiejnë dhe ju vijnë e përbrendshme dhe populli duhet të besojë të ata që e drejtojnë dhe unë jam e bindur që ky front i bashkuar kundër krimit do të jetë një nga inspiruesit më të mëdhenj që kanë pasur shqiptarët në 27 vitet e tranzicionit në të cilat ne kalojmë.”- tha Kryemadhi.

FJALA E PLOTE
Gjëja që është më e rëndësishme është që ato parti politike që morën pjesë në tryezë u vunë përballë le të themi përballë një presioni psikologjik të qytetarëve. Ose vullnetit të qytetarëve shqiptar të cilët gjenden të kërcënuar nga krimi dhe bandat e organizuara. Të cilat çdo ditë e më shumë po i marrin frymën Shqipërisë. Tryeza që u krijua sot ishte një sinjal shumë i mirë për të gjithë opinionin publik jo vetëm për partitë politike por për mediat për shoqërinë civile, për qytetarët. Për ata që bojkotuan zgjedhjet, për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre sepse tani ky front do të nisi të gjithë angazhimin e tij për të pasur një aksion politik që është shumë i rëndësishëm. Një luftë kundër narko shtetit i cili përfaqësohet dhe drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama. Ajo çka është shumë e rëndësishme, që dua të theksoj është që të gjitha partitë politike që morën pjesë në tryezë ishin shumë të shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Rreziku që i kanoset demokracisë shqiptare e cila çdo ditë më shumë po dobësohet e po del jashtë kornizave të saj. Inkriminimi i çdo strukture shtetërorë, inkriminimi i policisë, inkriminimi i shtetit, i zyrave të shtetit. Inkriminimi i besueshmërisë pra njerëzit kanë filluar të mos besojnë më dhe po kërkojnë të gjejnë zgjidhjen te bandat dhe jo te policia dhe te shteti. Kjo është fatkeqësia e një vendi dhe e një shteti por mbi të gjitha është fatkeqësia e një kombi. Kjo këmbanë është shumë e madhe, shumë e fortë jo vetëm për klasën politike por për gjithë Shqipërinë.
Znj.Kryemadhi është pjesë e aksionit politik të fronit edhe nisja e protestave? Cila do të jetë mënyra dhe si do ta largoni këtë qeveri?
E para dua të theksoj, kjo ishte tryeza e parë, do të zhvillojmë dhe tryeza të tjera njëra pas tjetrës, ajo çka është e rëndësishme është që të gjithë konvergojmë në një pikë, jemi të saktë përsa i përket kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.
Ngjarjet e fundit treguan atë që kemi artikuluar prej kohësh, atë çka dhe opozita ka artikuluar prej kohësh dhe më në fund ne jemi tashmë bashkë në një pikë të fortë gjatë kësaj. Përsa i përket protestave, protestë nuk bëjnë partitë politike. Partitë politike bëjnë manifestime por protestat vijnë nga populli të cilët e ndiejnë dhe ju vijnë e përbrendshme dhe populli duhet të besojë të ata që e drejtojnë dhe unë jam e bindur që ky front i bashkuar kundër krimit do të jetë një nga inspiruesit më të mëdhenj që kanë pasur shqiptarët në 27 vitet e tranzicionit në të cilat ne kalojmë. Është momenti që të gjithë së bashku, klasa politike dhe të gjithë shqiptarët ti japin fund tranzicionit politik që po kalon Shqipëria. Është i vetmi vend ish-komunist mbas shembjes së murit të Berlinit që vazhdon të jetë në tranzicion. Ky është një nga momentet që të gjithë së bashku ta rizgjojmë ndërgjegjen kombëtare. Të rizgjojmë aktivitetin politik te ata të rinj të cilët nuk duan të merren me politikë sepse ndihen të zhgënjyer dhe ndihen të lodhur e të huaj në vendin e tyre. Unë mendoj që ka ardhur momenti që klasa politike Shqiptare të bëjmë një gjë të mirë në gjithë këto vite për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb