TIRANE– Kur kanë kaluar katër ditë nga krimi i dyfishtë në kryeqytet, SHÇBA ka nisur verifikimin e të gjithë punonjësve të policisë që kanë trajtuar çështjen. Paraditen e 8 qershorit, 31-vjeçari Xhafer Mata vrau me armë zjarri ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çuni, 19 vjeç, e më pas qëlloi veten me plumb në kokë.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e “Don Boskos” duket se ishte e paralajmëruar, kjo për faktin se Mata dhe Çuni ishin ballafaquar disa herë në komisariat.

Detajet e publikuara pas ngjarjes së rëndë, nxorën në dritë faktet se 19-vjeçaerja e kishte denoncuar autorin në Komisariatin nr.3 për përndjekje, por sipas familjarëve të saj, policia nuk mori asnjë masë.

Nga ana tjetër, edhe Xhafer Mata e kishte kallëzuar 19-vjeçaren për mashtrim, me pretendimin se i kishte marrë një sasi parash.

Pas krimit të dyfishtë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur verifikimet për rrethanat e rastit, si dhe janë duke u intervistuar gjithë punonjësit e policisë që kanë trajtuar çështjen.

Sakaq, në fund të këtij hetimi administrativ do të ketë një vendim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb