NGA LEDIONA XHELADINAJ

POGRADEC- Avni Torra, babai i 26- vjeçarit Erzen Torra, që u gjet i pajetë bashkë me të shoqen, Fatbardhën, rrëfen për “Gazeta Shqiptare” momentin se si u njoftua për krimin e rëndë dhe dyshimet e tij. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në fshatin Velçan të Pogradecit, në kasollen e bagëtive.

I ati i djalit hedh dyshime se çifti mund të jetë vrarë nga një person i tretë, ndërsa përjashton çdo mundësi që kjo ngjarje të ketë në thelb problemet në çift. I rënduar psikologjikisht, Avniu i bën thirrje policisë të hetojë krimin e rëndë dhe të nxjerrë të vërtetën për djalin dhe nusen e tij.

Avni, kush të lajmëroi për atë që kishte ndodhur?
Më mori djali i vogël në telefon. Me vështirësi e kujtoj çfarë më ka thënë, por s’e di se si e kam mbajtur veten. Ai u përpoq të mos ma thoshte tamam çfarë kishte ndodhur, por e kuptova që po më shmangej. Më tha që ishin sëmurë dhe rëndë, por më kërkoi që të nisesha sa më parë. “Merr avionin dhe nisu”, më tha, “mos humb kohë”, dhe ma mbylli. Nuk e mora vesh çfarë po bëhej. S’dija çfarë t’i thosha as gruas sime. U bëmë gati menjëherë, gjetëm bileta dhe gjatë gjithë rrugës deri në aeroport përpiqeshim të lidheshim në telefon me njerëzit tanë. Nuk lidheshim dot se nuk funksiononte linja. E parashikuam që kishte ndodhur diçka e rëndë, por jo kaq tragjike.

Kur ka qenë hera e fundit që i keni takuar nga afër Fatbardhën dhe Erzenin?
Para dy javësh isha këtu. Erdhëm me gruan dhe ndenjëm disa javë se ishim pushim. U kënaqëm me nipin, s’i gëzoheshim dot. Kjo ishte arsyeja e vërtetë që sapo na u dha mundësia erdhëm këtu, se u bëmë gjyshër për herë të dytë. Pas gazit, një helm i rëndë të shkatërroka.

Avni, pse thoni që jeni i paqartë për ngjarjen, nuk keni shkuar në polici?
Kam shkuar dy herë. Herën e parë shkova, na thirrën që të na pyesnin si shkonin si çift dhe a kishin probleme. Por dje shkova vetë në komisariat të pyes dhe më thanë “ne po hetojmë, s’të japim dot asgjë tani. Do të të lajmërojmë vetë po pati ndonjë gjë”. Më duket shumë enigmë çdo gjë. Ikin dy të rinj dhe shteti nuk të sqaron; kjo s’më duket normale!

Çfarë mund të thoni për marrëdhënien e tyre?
Që shkonin për mrekulli. Unë s’i kam parë asnjëherë të zihen. Tani, si çdo çift i ri kishin ndonjëherë grindje, ndonjë mërzitje të vogël me njëri-tjetrin, por asnjëherë nuk mund të thuash që ziheshin ashpër apo gjëra shqetësuese. Zënka dashurie ka kudo, të rinj ishin, kishin jetën përpara. Ata e donin shumë njëri-tjetrin, dhe sidomos nusja ishte shumë e urtë.

Si sillej Fatbardha me ju në përgjithësi?
Unë dhe ime shoqe e donim si vajzën tonë. Ajo ishte e vogël, por mbante peshën e gjithë familjes, të burrit, fëmijëve, por edhe të djalit tonë më të vogël. E veç këtyre priste e përcillte dhe na i nderonte të gjithë të afërmit. Njerëzit na flisnin fjalët më të mira për djalin, nusen e fëmijët. Ne vërtet ishim në emigracion, por sytë e mendjen te fëmijët i kishim, për ta punonim, kurse tani…. (qan)

Po të ardhurat për familjen, a ishin të mjaftueshme?
Pa diskutim! Ne u dërgonim vazhdimisht, por edhe djemtë punonin. Erzeni kishte traktorin dhe punonte vërtet shumë e merrte pas edhe të vëllain. Nga ana ekonomike nuk u mungonte asgjë. Djalin e kisha të rregullt dhe familjar, nusen po ashtu. Nuk e di çfarë ishte kjo hata.

Po për fëmijët, kush po kujdeset?
Më dhemb shpirti për ata fëmijë. Nuk janë pa njeri që të thuash kush do kujdeset, por fatkeqësi është që mbetën jetimë, pa nënë e babë. Kanë gjyshër e njerëz të tjerë që do t’i rrisin, por unë s’do di çfarë t’u them kur të më pyesin për prindërit e tyre. Çfarë t’u them kur as unë vetë nuk e di?! Shkova në spital që firmosa disa dokumente për procedurë. Por këtë që më thonë, që nusja vrau djalin me dru e pastaj veten, s’e besoj dot.

Pse nuk e besoni?
Sepse s’ma vërtetojnë dot atë që thonë. E para, pse duhej ta bënte ajo këtë gjë, dhe e dyta, një femër që ta masakrojë një burrë ashtu më duket e pabesueshme. Pse, aq kollaj qenka?! Ai s’ishte në gjumë dhe kjo i shkoi e la në vend. Është e pabesueshme! Kush ma thotë që u zunë, kush i pa?!

Po ai mesazhi që dërgoi te numri i djalit të vogël?
Kam shumë dyshime…

Cili është apeli juaj?
Policia të hetojë si duhet dhe të nxjerrë të vërtetën. Unë dyshoj që dikush tjetër mund t’i ketë vrarë dhe i kanë bërë gjërat që të duken kështu. Konflikte me të tjerë ne nuk kishim – me sa di unë – por përsëri nuk i dihet. S’dua të hedh baltë kot, por hetimi të nxjerrë të vërtetën.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: