ITALI – Marjo Mema, shqiptari i arrestuar në Itali i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ismail Lulit, ka deklaruar para grupit hetimor se ai e ka parë momentin kur Igli Meta ka vrarë 17-vjeçarin. Mediat italiane shkruajnë se Mema në fillim ka deklaruar se ka qenë në makinë në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe se nuk e ka parë skenën e vrasjes, por dy ditë më parë, 19-vjeçari Mema ka kërkuar ballafaqim me shokun e tij, Igli Metën, ballafaqim që zgjati nga ora 11:30 deri në orën 16:00 të së premtes. “Il.giornale.it” shkruan se pas këtij ballafaqimi, i riu shqiptar është shprehur se e ka parë Iglin kur ka goditur në qafë me thikë Lulin, por pa mundur që të ndërhynte dot. “Isha rreth 20 metra larg të dyve. Pashë Iglin që vrau me thikë në qafë Ismailin. Nuk mund të bëjë asgjë”, shkruan “Il.giornale.it”, duke iu referuar rrëfimit të Memës para grupit hetimor. Mediat italiane shkruajnë se 19-vjeçari ka treguar se si e futën në kurth Ismailin me anë të një mesazhi të dërguar nga Ambra dhe momentin e vrasjes. “Mendova se konfrontimi nuk do të shkonte përtej një sherri të zakonshëm”, tregon Marjo. Ai vijon më tej duke u shprehur se pasi shkuan në pyll, Igli Meta i ka thënë shokut të tij që ta linte vetëm me 17-vjeçarin sepse donte që të sqaronin diçka. Mema ka thënë para hetuesve se ai pa që Igli ishte shumë i acaruar dhe se gjatë një momenti ai e pyeti Lulin se “çfarë duhet të bënte”, por Mema ka sqaruar në rrëfimin e tij se nuk e dinte se Igli do e vriste 17-vjeçarin. Sipas Marjos, Igli Meta e qëlloi Ismail Lulin, pasi ai nuk pranoi që të lidhej pas kryqit, ku edhe do të merrej në pyetje në lidhje me marrëdhënien që kishte me Ambrën, të dashurën maqedonase të Iglit. Në rrëfimin e tij, citojnë mediat italiane, 19-vjeçari pranon që të ketë marrë pjesë vetëm në pastrimin e vendit të krimit, por nuk pranon asgjë tjetër. Më tej, Mema ka sqaruar se ka qenë shoku i tij, ai që ka marrë telefonin e viktimës dhe i ka dërguar një mesazh nënës së Lulit, ku i kërkonte që të mos e kërkonin, pasi ai do të niste një jetë të re. Pavarësisht këtyre deklaratave, hetuesit thonë se Marjo Mema ka luajtur një rol aktiv në vrasjen e paramenduar të 17-vjeçarit Ismail Luli.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: