TIRANË– Menjëherë sapo qeveria tërhoqi projektligjin për kriminalizmin e shpifjes reagoi sërish përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, e cila tha se ky është një lajm i mirë për Shqipërinë.

“Pr/ligji nuk do kriminalizojë fjalën e lirë, Bushati më siguroi për pr/ligjin. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë”,- shkroi ajo në Twitter.

Më herët Dunja Mijatović, shprehu shqetësimin për projektndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, dhe u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të hedhin poshtë projektligjin që parashikon dënim me burg për shpifjen ndaj figurave publike.

“Institucionet dhe zyrtarët publikë nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj deklaratave kritike, përkundrazi ata duhet të tolerojnë një shkallë më të lartë kritike se qytetarët e zakonshëm”, tha Mijatović, duke shtuar se, “Dënimet penale për shpifjen janë të tepruara dhe jopërpjestimore. Ato duhet të zëvendësohen me rregullime të përshtatshme në ligjin civil apo administrativ”.

Nëse miratohet, propozimi i Këshillit të Ministrave do të sanksionojë dënimin me burg deri në tre vjet për “shpifje ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur”.

“U bëj thirrje anëtarëve të parlamentit të hedhin poshtë propozimin dhe, në vend të kësaj, të marrin në konsideratë heqjen e plotë të shpifjes nga Kodi Penal”, tha Mijatović.

Më 2012, autoritetet në Shqipëri vendosën të heqin dënimin me burg për veprën e shpifjes, një vendim që u mirëprit nga Përfaqësuesja.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në fushën e medias, në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb