TIRANE- Propozimi i kryeministrit Edi Rama për projekt-ligjin për shpifjen ka ngjallur jo pak debat. Nisur nga reagimet e deritanishme në shtyp dhe opinion, kreu i Qeverisë ka sqaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” se ku konsiston propozimi i tij. Sipas Ramës, projekt-ligji për kriminalizimin e shpifjes nuk ka asnjë lidhje me shtypin, por thotë se “shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan”.
“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!”, – shkruan kryeministri Rama.
Një ditë më parë, kreu i Qeverisë propozoi që shpifja për zyrtarët të dënohet me gjobë e burg.

BASHA: BURRACAK, KËRCËNON MEDIAT ME BURG
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se po kërcënon me burg, mediat dhe gazetarët, që sipas shefit të opozitës, kanë kurajën të nxjerrin në dritë skandalet  korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin.

“Burracaku Rama kërcënon me burg mediat dhe gazetarët që nuk arrin t’i shantazhojë apo blejë e që kanë kurajon të nxjerrin në dritë skandalet, korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin. E di dhe vetë ky kokosh poturembushur se nuk ka asnjë shans të trembë askënd. Era e hajdutërisë se tij dhe bandës së tij po qelb Shqipërinë. Nuk shpëton dot me marifete të tilla. Nuk do të arrijë kurrë ti mbyllë gojën as opozitës, as medias së lirë as qytetarëve. Ai dhe banda e tij do të japin llogari.”- shkruan Basha në “Facebook”.

RELACIONI
Në relacionin që i bashkëngjitet projektit vetëm me një nen thuhet se: “Ky projektligj vjen si propozim i kryeministrit. Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që, duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”. “Pështjellimi, që ‘denoncime’ të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësuesve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”, sqarohet në relacion.

Më tej sqarohet se: “Shfuqizimi i kësaj vepre penale, kur kanë kaluar pothuaj tre vjet, parë si i lidhur ngushtë me praktikën, rastet e rënda të ndodhjes së kësaj vepre dhe mungesës së ndëshkimit të plotë të saj, edhe në të vetmen rrugë ligjore atë civile, konfirmon qartë dhe pa asnjë dyshim se ky ishte një veprim jo thjesht i parakohshëm, por me një impakt tërësisht negativ, pasi ka nxitur në mënyrën më ekstreme shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, shpifjen duke i atribuuar dikujt tjetër pa asnjë hezitim kryerjen e veprave nga më të rëndat penale, ndërkohë që dihet me siguri se faktet e prezumuara si të tilla janë tërësisht të pavërteta”.
(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: