Nga: FERDINAND XHAFERAJ*
Në fundjavën që lamë pas, Partia Demokratike bëri publik lajmin e ndërmarrjes së veprimit
institucional duke plotësuar letrat e kallëzimit penal për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ministri akuzohet për veprimet dhe mosveprimet e tij lidhur me çështjen e vrasjes së pretenduar ndaj deputeteve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Por më parë Partia Demokratike, edhe kishte hartuar një mocion për shkarkimin e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, edhe kishte kërkuar dorëheqjen e tij, duke e shpallur kështu rrënimin e Metës edhe si objektivin kryesor të valës së pritshme të protestave.
Që në fillim duhet pranuar që çështja “Doshi” ka prodhuar një konsensus të gjerë të mbarë opinionit publik, jo shumë për vërtetësinë apo jo të akuzave, por për faktin se për herë të parë, politika më e lartë në vend përfshihet me normalitet në bisedat me krimin dhe për krimin. Për më keq, politika po vetakuzohet se kërkon shërbime shumë të rënda nga bota e errët e krimit. Është më se e kuptueshme që procesi i provës ligjore të kriminalizimit të shumicës do goxha punë për të provuar nëse kreu i Kuvendit të Shqipërisë apo aktorë të tjerë i kanë duart brenda apo jashtë kësaj porosie për vrasje. Por qytetarët shqiptarë dhe partnerët janë qartësuar se kemi një model qeverisjeje ku kreu i qeverisë, z. Rama, kreu i Kuvendit, z. Meta dhe kreu i Rendit, z. Tahiri, në të vetmen drekë të përbashkët në 18 muaj qeverisje, janë bërë bashkë për të folur jo për integrimin, por për krimin. Ata janë bërë bashkë për të folur jo për Presidentin e Këshillit Evropian, z. Donald Tusk, por për Dorin e Fushë-Krujës. Gjithsesi, adresimi i aksionit politik të opozitës kryesisht te kreu i Kuvendit, z. Meta, të lë shijen e bashkimit të axhendës së opozitës me axhendën e deputetit Doshi. Themi kështu sepse z. Doshi, bazuar në problematikat e tij, ka shpallur si armik të papajtueshëm z. Meta, ndërsa opozita, në të njëjtën gjatësi vale ka shpallur si objektiv madhor të saj dorëheqjen e kreut të Kuvendit. Por deri më tani kemi parë vetëm një dëshmi të deputetit Doshi pa fakte apo prova që të adresojnë përgjegjësinë drejt kreut të LSI-së. Pra, se sa dhe si z. Meta është përfshirë në këtë histori, mbetet për t’u provuar, ndërsa përqasja joligjore e ministrit të Brendshëm është tashmë diçka e provuar. Opozita i kishte dhe i ka të gjitha argumentet ligjore dhe morale për të kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e Tahirit. Kjo sepse ministri i Brendshëm vetëdeklaron se qetësisht ka takuar kur kanë dashur dhe ka vepruar si kanë dashur personat që marrin porosi për vrasje. Për më qartë, ministri i Brendshëm vetëdeklaron se në zyrat e shtetit dhe jashtë zyrave të shtetit ka takuar vrasësin e pretenduar dhe ka konstatuar se porosimarrësi nuk ka pranuar as të deponojë dhe as të bëhet pjesë e hetimeve. Por Neni 281 i Kodit të Procedurës Penale na qartëson se: “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale”. Duket se ministri Tahiri ka shpërdoruar detyrën jo si një këndvështrim i opozitës, por si një ballafaqim me ligjin. Pra, opozita e mbart edhe të drejtën morale, edhe kartën ligjore që të kërkojë, insistojë, protestojë dhe realizojë largimin e ministrit të Brendshëm. Do të ishte më racionale, më e justifikuar, më e mbështetur dhe më e argumentuar për opozitën për të mbledhur konsensus për përgjegjësitë e provuara morale dhe ligjore të ministrit Tahiri. Për më tepër vendi është marrë peng nga tritoli dhe do të ishte një shërbim i drejtpërdrejtë për qytetarët nëse opozita do të ndalej te Tahiri. Kjo jo vetëm do ta poziciononte opozitën drejtpërdrejt në krah të qytetarëve dhe në konsensus me ndërkombëtarët, por do t’i shërbente edhe pragmatizmit të saj, duke u drejtuar te beteja e zgjedhjeve lokale me një qeveri që, përveç të tjerave, për punë të krimit sapo ka larguar ministrin e Brendshëm të saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb