NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Drejtuesit e PS-së kanë përcaktuar procedura të qarta se kur partia duhet të shkojë në referendum. Pas debatit që u hap në fillim të këtij viti nga deputeti kritik, Ben Blushi, i cili kërkonte zgjedhje për kryetarin, por që u transformua në një vendim për referendum pas kongresit të 19 marsit, duket se drejtuesit socialistë e kanë qartësuar në Kodin Zgjedhor se cilat hapa duhen ndjekur.

Në materialin që do t’u propozohet anëtarëve të asamblesë kombëtare ditën e shtunë, thuhet: “Referendumet dhe proceset e konsultimit publik në parti zhvillohen në përputhje me nenin 72 të statutit të PS për probleme që prekin parimet themelore programore dhe statutore të partisë dhe procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për qeverisjen qendrore e vendore. Referendumi në parti zhvillohet me vendim të kongresit të partisë, me iniciativë të Asamblesë Kombëtare të PS dhe me kërkesën e 20 për qind të anëtarësisë së partisë. Propozimi i nënshtrohet referendumit dhe miratohet nëse merr shumicën e votave të vlefshme”, thuhet në Kodin e Zgjedhjeve të PS-së.

“Në kërkesën dhe vendimin për mbajtjen e referendumit duhet të përcaktohet: a. Formulimi specifik i pyetjeve, në mënyrë të qartë, të plotë e pa ekuivoke dhe në mënyrë të tillë që zgjedhësi të mund të përgjigjet me ‘PO’ ose ‘JO’. b. Forma e referendumit këshillues apo vendimmarrës. c. Rregulli i pjesëmarrjes së hapur për të gjithë votuesit, ose vetëm për anëtarët e partisë apo edhe përkrahësit e saj”, thuhet më tej në pjesën e katërt të Kodit Zgjedhor. Sipas procedurës, referendumi njoftohet nga sekretari i përgjithshëm, pas konsultimit në favor të legjitimitetit të garancisë nga KGSE dhe bëhet ekzekutiv jo më vonë se 45 ditë nga data e marrjes së vendimit për zhvillimin e tij.

“Referendumi i brendshëm, ku marrin pjesë si votues anëtarët e partisë, mund të mbahet për çdo çështje në lidhje me politikën dhe organizimin e Partisë Socialiste. Disa prej akteve të organeve qendrore të partisë mund të parashikohen për të qenë objekt i referendumit. Nëse referendumi është vendimmarrës, vendimi i marrë është i pakthyeshëm dhe nuk është subjekt i referendumit të mëtejshëm të brendshëm për të paktën dy vite”, saktësohet aty. Më 19 mars të këtij viti PS mbajti kongresin e saj.

Deputetët Ben Blushi, Mimoza Hafizi e disa të tjerë kërkuan që të kishte zgjedhje për kryetarin e PS-së, kërkesë që nuk u mor parasysh. Ishte kryetari Edi Rama, i cili kërkoi që të çohej në referendum pyetja, nëse duheshin zhvilluar zgjedhje për mandatin e kryetarit të partisë kur partia fiton zgjedhjet? Për këtë kongresi në fund vendosi datën 9 prill, ku me shumicë votash anëtarët socialistë vendosën t’i thonë “Jo” kësaj pyetjeje, pra të mos mbajnë zgjedhje të reja për kryetarin, por t’i japin të drejtën Ramës të vijojë mandatin.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb