TIRANË- Ajo ka premtuar të bëjë opozitën që i ka munguar vendit dhe e ka nisur me kritikat për programin qeverisës. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shprehur ashpër ndaj qeverisë dhe programit që sipas saj nuk ka asgjë konkrete, duke nisur nga ekonomia.

Por kritikave të Kryemadhit nuk i ka shpëtuar as Presidenti i Republikës Ilir Meta, bashkëshorti i saj. Nga foltorja e Kuvendit, ajo bëri një tablo të zymtë të situatës në vend, duke e quajtur katastrofike. Ajo tha se për situatën në vend mban përgjegjësi secili, përfshirë edhe Presidenti i Republikës.

“Ky është shteti që duam? Kjo është Shqipëria që duam? Prandaj të nderuar kolegë! Unë dua të shtroj një pyetje të thjeshtë:
Kush mban përgjegjësi për këtë situatë katastrofike të rendit, të ekonomisë, të shoqërisë, si dhe për këtë imazh të dërrmuar dhe të shëmtuar ku gjendet Shqipëria sot? Jam e bindur secili prej nesh, edhe Presidenti i Republikës që firmosi dekretet pa u tharë boja e firmës së Anastasit në proces verbal e zgjedhjes së kryetarit, por qeveria shumë më shumë!”, u shpreh Kryemadhi.

Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama çoi për dekretim tek Presidenti qeverinë e re të shtunën menjëherë pas zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Mëngjesin e së dielës, Presidenti e dekretoi propozimin e kryeministrit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb