NGA VALENTINA MADANI

Enno Bozdo sekretari organizativ i PD-së, ka bindjen se PD-ja ka struktura të mirëorganizuara në mbarë vendin, duke hedhur poshtë kritikat e brendshme për struktura të dobëta dhe jo funksionale, të cilat çuan në humbjet radhazi të demokratëve. Z.Bozdo tregon për “Gazeta Shqiptare” punën që po bëhet në të gjitha degët e PD-së për fuqizimin e strukturave të tyre, për shtimin me 20 përqind të antarësisë, kryesisht me të rinj dhe se si po ndodh ajo që nuk është parë kurrë në PD që socialistët t’u bashkohen strukturave të partisë si dhe zbardh skenarin e së djathtës për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Z.Bozdo, me ndarjen e re territorial, PD-ja iu nënshtrua një organizimi të ri në mbarë vendin mbi bazën e njësive territoriale, por sa u shërbeu demokratëve ky proces brenda PD-së?
Nuk është aspak ndarja e re territoriale që solli procesin e riorganizimit të PD-së. Ndarja e re territoriale, e cila, në fakt, ishte siç është vërtetuar thjeshtë dhe vetëm ndarje elektorale është sot e dështuar dhe ka futur në kolaps pushtetin vendor dhe paralizuar totalisht shërbimin ndaj qytetarëve.

Ne nuk e njohim këtë ndarje, dhe në çastin më të parë, do t‘i rikthehemi me instrumentet ligjore dhe demokratike për të vënë në jetë vullnetin e qytetarëve! Në filozofinë e kryetarit Basha që prej fillimit ka qenë dëgjimi sa më i mirë dhe më i shpejtë i zërit të demokratëve anëtarëve të thjeshtë, por dhe të çdo qytetari. Dëgjimi nisi me zgjedhjet me një anëtar një votë i strukturave që nga kryetari i seksionit, grup seksionit e deri tek kryetari i degës.

Zgjedhjet vendore përtej problematikave tashmë të pasqyruara e zeza mbi të bardhë në raportin e OSBE/Odhirit si shitblerja e votës, kandidimit dhe përdorimi i personave me rekorde kriminale në zgjedhje, përdorimi i administratës, shantazhimi i zgjedhësve dhe kërcënimi i tyre natyrisht që kishte për përmirësim edhe në organizimin e strukturave të partisë.

Riorganizimi i PD-së në nivelin strukturor të saj ndodhi pas një analize të thellë, degë më degë, të rezultateve të zgjedhjeve vendore. Raporti përkatës dhe rekomandimet që dolën nga kjo analizë, iu përcollën për miratim Kryesisë Qendrore të PD-së. Kryesia Qendrore miratoi raportin si dhe rekomandimet për riorganizimin e degëve, ashtu siç po zbatohet sot!

Që të krijohet një strukturë e mirëorganizuar dhe funksionale, natyrisht, ka gjithmonë nevojë për përmirësim. Por sot mund të them se PD-ja ka një strukturë model dhe një anëtarësi të angazhuar dhe përkushtuar për t’i bërë sa më funksionale këto struktura dhe për të përçuar mesazhin e PD-së tek të gjithë qytetarët e vendit.

Për çfarë dhe si i shërben procesi i riorganizimit fenomeneve negative që u vunë re në zgjedhjet vendore?
Përmbledhtazi, në këto zgjedhje vendore ne konstatuam se presioni mbi votuesin i llojit monetar (blerja e votës), ekonomik (kërcënimet për pushim nga puna) dhe politik (mos votoni kandidatin e PD-së, sepse nuk do merrni asnjë investim nga qeveria), ishte i një grade të paparë ndonjëherë për sa i përket ashpërsisë së tij.

Për t‘i dhënë përgjigje këtyre fenomeneve që shtrembëruan dukshëm vullnetin e votuesve, nevojitet edhe një strukturë më e kapilarizuar, më e motivuar, më gjithëpërfshirëse. Pikërisht, bazuar në analizën e thellë të rezultateve të zgjedhjeve si dhe të fenomeneve të mësipërme, erdhi natyrshëm nevoja e kapilarizimit të strukturës (ndarje e sipërfaqeve të mëdha dhe rritja e kontrollit mbi to nëpërmjet degëve të reja të krijuara) si dhe nevoja e ndryshimit të lidershipit vendor në ato degë ku kërkohej më shumë energji, më shumë vullnet dhe ku anëtarësia kërkonte ndryshim në mënyrë që lidershipi i ri të bashkonte sa me shumë anëtarësinë, të krijonte një aleancë sa më të gjerë, sa me gjithëpërfshirëse dhe një hapje sa më të madhe për t’u përballur me një bandë kriminale që tashmë qeveris vendin. Sot procesi i riorganizimit është thuajse në fund të tij.

Të gjitha të dhënat tregojnë se mënyra sesi ky proces u konceptua dhe realizua ishte e duhura, me qëllim pasjen e një strukture partiake sa më efektive dhe të vendosur, për të përballuar zgjedhjet e radhës. Tashmë të gjitha degët janë riorganizuar, dhe në një pjesë shumë të madhe të tyre janë mbajtur zgjedhjet e reja, gjë që ka përkuar me ndryshim të lidershipit vendor. Kjo ka sjellë freskim, motivim dhe strukture më të konsoliduar dhe kjo sot ndjehet kudo.

Megjithatë kohët e fundit ka pasur kritika ndaj mënyrës së organizimit të PD-së dhe vonesave në këtë proces. Për cilat arsye?
Unë nuk mendoj se ka njerëz të pagabueshëm, sikundër nuk besoj se gjatë punës me njerëzit të jetë të gjithë të kënaqur. Procesi i riorganizimit ka pasur në krye figura të njohura dhe me kontribut 25 vjecar në PD, ish drejtues që e njohin mirë strukturën deputet etj, të cilët kanë bërë një punë shumë të mirë në të gjitha degët.

Nëse i referoheni kërkesës që ky proces të mbyllet sa më parë, është absolutisht një kërkesë e arsyeshme, e drejtë, të cilën ne e ndjekim me prioritet. Por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se ky proces që preku të gjithë strukturën e PD-së me rreth 100 mijë anëtarë të saj, u zhvillua në një periudhe kohore jo fortë të përshtatshme (pushimet e verës, reforma në drejtësi, zgjedhjet në Dibër etj). Mbi 60 degë të riorganizuara plotësisht dhe mbi 25 konferenca zgjedhore të plota, ky është bilanci 4 mujor i procesit të riorganizimit të PD-së. Dhe është një bilanc pozitiv! Unë mendoj se, në fund të fundit, është me mirë të kemi një produkt të mirë dhe të zgjatur në kohë sesa një produkt të keq në një kohë të shkurtër!

Realisht a ka humbur PD-ja kohët e fundit për faj të strukturave të saj të dobëta siç pretendohet…?
Deri me sot mund të gjykojmë vetëm bazuar në rezultatin e zgjedhjeve vendore të 2015, ku “salamandra territoriale” si dhe fenomenet e blerjes së votës, e kishin përcaktuar në tavolinë rezultatin zgjedhor. Zgjedhjet në Dibër, edhe pse vendore, na ekspozuan një veçori të frikshme të kësaj maxhorance, të pahasur më parë në këtë shkallë: narko-fushata dhe narko-kandidati i maxhorancës.

Pra, pyetjes tuaj do të mund t`i përgjigjesha ndershëm, në rast se përballë do të kishim një qeveri normale që organizon procese normale zgjedhore! Por jemi frikshëm larg kësaj situate. Asnjë strukturë partie, sado e fortë dhe e motivuar të jetë, nuk mundet dot të përballet me një strukturë kriminale të narkotrafikantëve që mbështeten nga segmente të inkriminuara të shtetit.

A ka humbur për shkak të strukturave të saj të dobëta,- apsolutisht jo. A ka problem me disa struktura, po ka dhe ka një angazhim të madh për t’i forcuar sa më shumë ato. Natyrisht kjo është një punë në vazhdimësi dhe do të kërkoj gjithmonë vëmendje.

Çfarë i kërcënon më tepër zgjedhjet e ardhshme?
Sot më shumë se kurrë duke pasur parasysh dhe një realitet të trishtë që na shfaqet përpara dhe që është një kërcënim serioz për zgjedhjet e ardhshme. Shqipëria ka hyrë tashme në një etapë të tmerrshme të narkofikimit të saj. Sot jemi i vetmi vend në rajon që shtypi i huaj i referohet si Kolumbia e Ballkanit. Kjo situatë tashmë rrezikon thelbin e ekzistencës tonë.

Dhe në këto kushte çfarë duhet të bëjë opozita?
Në këto kushte, ku janë tronditur rëndë (por jo ende shembur) themelet e një republike normale, sfida jone mbetet sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe për këtë jemi gati të përdorim të gjitha instrumentat ligjore dhe demokratike. Por me Edi Ramen kjo është e pamundur. Në nje garë të ndershme e demokratike ne mund të flasim për funksionim apo mosfunksionim strukturash. Për t’i bërë ballë këtij realiteti do të duhej që strukturat e PD-së nuk duhet të përbëheshin si sot me intelektualë, njerëz të shquar e me vlera, por me kriminelë, trafikantë, njerëz të armatosur, të korruptuar siç është sot kupola e PS-së.

Sa është shtuar PD-ja në radhët e saj pasi kam këtu parasysh një deklaratë të kreut Basha para disa muajsh që tha se anëtarësia e PD-së është shtuar me 20 %. Sa anëtar njeh PD-ja aktualisht dhe cili është synimi për zgjedhjet e ardhme parlamentare?
Po. Ka një shtim të dukshëm dhe të rëndësishëm të anëtarësisë së Partisë Demokratike, veçanërisht pas riorganizimit tërësor dhe fushatës ekzemplare të Forumit Rinor. Vetë procesi i riorganizmit është shoqëruar me prurje të reja, veçanërisht të rinisë. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm, sepse jo thjesht realizon rigjenerimin jetik të PD-së, por tregon se sytë, shpresa e rinisë janë tek PD-ja.

Jo më larg se disa ditë më parë, të rinjtë e FRESH në Korçë iu bashkuan publikisht strukturës vendore të FRPD dhe PD. Nuk ka asnjë aktiv të zhvilluar së fundmi ku në sallë të mos jenë prezentë eksponentë apo anëtarë të PS-së që kanë ardhur me dëshirën e tyre të dëgjojnë Lulzim Bashën dhe të bisedojnë me të për shqetësimet dhe zgjidhjet e mundshme. Kjo nuk ka ndodhur kurrë me pare.

Dhe cilat janë arsyet?
Qytetarët po bashkohen në një front të vetëm kundër krimit dhe narkofikimit të vendit. Ky fenomen po ndodh tej vijave politike, tej preferencave programore. PD i mirëpret të gjithë ata që duan një Shqipëri, qeveria e se cilës është e mpakur nga krimi, nga trafikantët e drogës e vendosin mbi interesat partiake. Ne jemi fronti i vetëm që do ta mundim të keqen. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë, rinia e ka kuptuar këtë dhe prandaj po i bashkohen me shpejtësi PD. Forumi Rinor është shtuar me 30% të anëtarësisë dhe PD me 20%.

Si po funksionojnë grupet e punës nga qëndra në bazë dhe për cfarë po shërben turi aktual I takimeve të kryetarit Basha në të gjithë vendin?
Kryetari Basha ka ndërmarrë tashme një tur në të gjitha degët e PD-së, duke u angazhuar në një proces dëgjimi dhe bashkëbisedimit të hapur me anëtarësinë e PD. Sigurisht, shpesh herë këtu marrin pjesë edhe qytetarë të tjerë, jo pjesë e strukturave.

Turi po rezulton shumë i suksesshëm, sepse po nxit pikërisht atë që PD ka në ADN e saj: pjesëmarrjen qytetare, zërin qytetar, idetë qytetarë për t’u përballur dhe dhënë zgjidhje ndoshta sfidës më të madhe që një parti opozitare ka pasur në këto 20 vjetët e fundit: përballja me krimin, narko-politikën dhe realizimi i zgjedhjeve të lira e të drejta.

Po kështu diskutohet hapur, dëgjohet mendimi i strukturave të partisë se çfarë duhet bërë më mirë, si mund ta bëjmë më mirë çfarë duhet të ndryshojmë. Dhe po ju them me kënaqësi që ka mendime shumë të mira, propozime konkrete për rritur dhe fuqizuar PD. Turi i kryetarit Basha përkon me një proces tjetër ku janë futur tashmë të gjitha degët e PD-së, sipas urdhrit më të fundit: Kontaktimi me votuesin derë më derë, hap pas hapi, prezenca e rritur në territor për të folur, për t‘i qenë në krah qytetarëve, për të denoncuar korrupsionin dhe abuzivitetin e kudondodhur. Mendoj që kjo lëvizje, ndihmuar nga bashkëbisedimi i kryetarit Basha me anëtarësinë dhe qytetarët, po fiton një impuls të dukshëm!

A janë të gatshme momentalisht strukturat e PD-së në mbarë vendin si garanci për fitoren e PD-së në 2017-ën?
Nga çështja organizative kemi dhe 3 degë që duhet të mbyllim dhe besoj se ky proces do të përfundojë shumë shpejt. Nga ana e motivimit, mobilizimit dhe angazhimit unë mund t’ju them që demokratet, por dhe qytetarët shqiptarë të pa angazhuar apo, pse jo, edhe pjesë e së majtës janë më të bashkuar se asnjëherë tjetër për të larguar koalicionin e krimit dhe të drogës në pushtet.

Por, para së gjithash, është detyra e PD-së dhe e çdo qytetari të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Dhe ajo që është emëruesi i përbashkët i çdo takimi, por edhe i diskutimeve me faktor të ndryshëm shoqëror është se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj aksioni i PD-së, por jo vetëm, është largimi i Edi Ramës dhe hapja rrugë e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

Ne do të marrim të gjitha masat, do të mobilizojmë të gjitha strukturat, do të përdorim çdo instrument ligjor dhe demokratik për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të drejta, me qëllim pastaj shtypjen e krimit dhe eliminimin e narkotrafikut. Shqipëria është dhe do t‘i kthehet qytetarëve të lirë të saj. PD do t’i prijë kësaj aleancë të madhe qytetare për zgjedhje të lira, zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe luftë kundër narkotrafikut. Struktura e PD-së është gati dhe jam i bindur që çdo qytetar është gati, pasi beteja për votën është beteje për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, është betejë për të ardhmen e Shqipërisë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: