Nga MOIKOM ZEQO

Bota është në krizë. Shqipëria është në krizë. Edhe Na bukobonozori i Babilonisë kështu do të thoshte. Ose e ka thënë për kohën e tij. Nuk ka histori normale, është shprehur Poul Valery-a. Normaliteti i historisë është paradoksi. Çdo epokë, çdo sistem është paradoksal. Dhe historia e njerëzimit, madje dhe jeta e çdo njeriu. Është e kuptueshme. Kriza e kohës së sotme, është universale: e natyrës, e shoqërisë, e familjes, e kulturës dhe e artit. E vetë njeriut. Një krizë palimpsest. Palimpsest krize. Metafora genocitiste e Alepos, aradhat apokaliptike dhe milionëshe të refugjatëve, zotërimi i ekraneve nga Putin dhe Erdogan, kthimi në formulat shekullore të gjeopolitikës, brexit i Anglisë, pasiguria e BE-së, parashikimi i Tokëvilit të madh se me anë të votimit mund të triumfojnë figurat më banale të kohës, mungesa e liderizmit të denjë të popujve, siç ka shkruar para vdekjes filozofi Karl Poper etj. E qartë. Kjo ndihet, dihet nga të gjithë. Vështirësia është në kuptimshmërinë, në thellësinë e njohjes, në konceptualitetin. Nuk mohohet progresi teknologjik.

Është gati i pabesueshëm. Por fitoret e mëdha të shkencës nuk janë edhe fitore morale. Kontradikta midis shkencës dhe moralit është absurde. Absurditeti i politikës. Pengesë dhe boshllëk serioz. Por jo i pariparueshëm. Kjo është enigma. Përherë enigmë. Jo e pakuptueshme. E pazbërthyeshme. Kuptimi i enigmës është i qartë. Zgjidhja e enigmës është një vonesë kolosale, e gjatë, e pamëshirshme. Kuptimshmëria është e thjeshtë. Kuptimshmëria e lirisë. Statusi i lirisë. Një njeri që skllavëron një tjetër është vetë i skllavëruar, një njeri i barabartë në liri me një tjetër është dyfish i lirë. Pra liria është ftillesë dhe përcaktim, është realizim, përsosje, zhvillim, përparim, kapërcim i absurdit të frikshëm. Kalim nga prehistoria e tejzgjatur në historinë e vërtetë, nga njeriu i tjetërsuar te njeriu i realizuar. Sa shekuj, sa shumë shekuj! Po pse vallë kaq vonesa? Pse kaq zvarritje? Kriza e shoqërisë së sotme është e sofistikuar, universale. Një filozof i famshëm thotë se anarkia na zotëron, na çmend, na klonon.

Anarkia është ligj i shoqërisë civile të emancipuar nga privilegjet që e ndajnë shoqërinë, dhe anarkia e shoqërisë civile përbën bazën e gjendjes juridike publike moderne, ashtu sikurse gjendja juridike publike, nga ana e vet, është garancia e kësaj anarkie. Ato janë të kundërta me njëra-tjetrën në atë masë dhe në atë shkallë që kushtëzojnë njëra-tjetrën. Po të shprehemi në mënyrë të saktë dhe prozaike, anëtarët e shoqërisë civile nuk janë aspak atome. Veçoria karakteristike e atomit është se ai nuk ka kurrfarë veçorish dhe prandaj nuk lidhet me qenie të tjera, që ekzistojnë jashtë tij me kurrfarë raporti të përcaktuar në mënyrë të domosdoshme nga natyra e vet. Atomi nuk ka nevojë, ai është diçka e vetëmjaftueshme: bota jashtë tij është një zbrazëtirë absolute, domethënë nuk ka asnjë përmbajtje, asnjë kuptim, asnjë rëndësi, pikërisht sepse atomi ka në gjirin e vet të gjithë plotninë e ekzistencës. Individi egoist i shoqërisë civile le ta ndiejë veten në përfytyrimin e vet jondijor dhe në abstraksionin e vet pa jetë si atom, domethënë si një qenie të palidhur me asgjë, të vetëmjaftueshme, pa nevoja absolutisht të plota, të lumtura.

Realiteti ndijor profan nuk do t’ia dijë për përfytyrimin e këtij individi. Secila nga shqisat e tij e bën atë të besojë në ekzistencën e botës dhe të individëve të tjerë jashtë tij, dhe madje edhe stomaku i tij mëkatar i kujton atij përditë se bota jashtë tij nuk është e zbrazët, por, përkundrazi, është ajo që e mbush atë; çdo shfaqje aktive e qenies së tij, çdo veti e tij, çdo synim i tij jetësor bëhet nevojë, kërkesë, e cila e bën egoizmin e tij, interesin e tij personal, interes për sende të tjera dhe për njerëz të tjerë, që ndodhen jashtë tij. Dhe, meqenëse nevoja e një individi nuk është për një individ tjetër egoist, që ka mjete për plotësimin e kësaj nevoje, një gjë që kuptohet vetiu, domethënë nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me plotësimin e asaj nevoje, atëherë çdo individ duhet ta krijojë këtë lidhje, duke u bërë nga ana e vet ndërmjetës midis nevojës së tjetrit dhe objekteve të kësaj nevoje. Kështu, domosdoshmëria natyrore, veçoritë e qenies njerëzore, në çfarëdo forme të jetërsuar që të paraqiten, interesi, – ja ç’i lidh me njëri-tjetrin anëtarët e shoqërisë civile. Lidhja reale midis tyre nuk është jeta politike, por jeta civile. Pra nuk është shteti që i lidh midis tyre atomet e shoqërisë civile, por pikërisht fakti që ato janë atome vetëm në përfytyrim, në qiellin e imagjinatës së vet, ndërsa në të vërtetë janë qenie që ndryshojnë si nata me ditën nga atomet, se ata nuk janë egoistë hyjnorë, por njerëz egoistë.

Vetëm paragjykimi politik është në gjendje të kujtojë ende në kohën tonë se shteti duhet të çimentojë jetën civile, ndërsa në të vërtetë, përkundrazi, është jeta civile ajo që çimenton shtetin. Me rënien e Murit të Berlinit u shemb sistemi i quajtur socialist, totalitar, inxhinieri sociale e keqkuptuar, e keqpërdorur. Me krizën e Wall Street-it u shfaq pafuqia e paralajmëruar e sistemit kapitalist. Një tjetër disfatë e historisë botërore. Filozofë dhe ekonomistë nobelistë u shprehën se duhet rikonceptuar, korrigjuar në substancë vetë sistemi kapitalist. Po rilexohet Marksi i nëmur. Po si mund të ndryshohen gjërat? Si mund të ribëhet historia? Kush e ka në dorë këtë transformim kolosal? Elitat, mafia, oligarkët? Ku është projekti? Kush e koncepton projektin? Shoqëria civile nuk është gjë tjetër veçse kjo luftë midis individëve të ndarë nga njëri-tjetri vetëm prej individualitetit të vet dhe lëvizja e përgjithshme e shfrenuar e forcave jetike të vetvetishme të çliruara nga vargonjtë e privilegjeve.

Kontradikta midis shtetit përfaqësues demokratik dhe shoqërisë civile është kurorëzimi i kontradiktës klasike midis bashkësisë juridike publike dhe skllavërisë. Në botën e sotme çdo njeri është në të njëjtën kohë edhe anëtar i rendit të skllavërisë, edhe anëtar i bashkësisë juridike publike. Pikërisht skllavëria e shoqërisë civile nga dukja e vet është liria më e madhe, sepse ajo duket formë e përkryer e pavarësisë së individit, i cili e merr për liri të vetën lëvizjen e shfrenuar të elementeve të veta të jetërsuara të jetës, të palidhura as me lidhjet e përgjithshme as me njeriun, siç janë, për shembull, prona, industria, feja etj., kurse në të vërtetë ajo, përkundrazi, përbën skllavërinë e tij të përkryer dhe antihumanizmin e plotë. Vendin e privilegjit këtu e ka zënë e drejta. Pra, vetëm këtu ku nuk ka kurrfarë kontradikte midis teorisë së lirë dhe vlerës praktike të privilegjeve, ku, përkundrazi, “teorisë së lirë” i përgjigjen zhdukja praktike e privilegjeve, industria e lirë, tregtia e lirë etj., ku përballë gjendjes juridike publike nuk ka kurrfarë ekskluzivizmi të privilegjuar, ku është mënjanuar kontradikta e konstatuar nga kritika, – vetëm këtu ekziston shteti i sotëm i përsosur. Nëse krijohet, konceptohet Projekti i Shpëtimit Botëror, kush vallë do të koncentrojë vendimmarrjen? Kush vendos? Kush udhëheq, hap horizontet, shmang gabimet, garanton? Si zgjidhet kriza? Migjeni, ky shkrimtar i jashtëzakonshëm, ka shkruar një skicë që e ka quajtur “Novelë mbi krizën”.

Ja teksti i pabesueshëm dhe i saktë, real dhe apokaliptik: “Paria e shtetit X nuk dinte ç’të bajë dhe si ta vendosi çështjen e krizës… Varfnia e madhe kish bamë shumë njerz të marrin shkopin e lypsisë dhe shumë gra, me foshnje në gji të shtrijnë dorën për lëmoshë. Por për këtë nuk u tundte Paria e shtetit X. Ngritja e shkopeve të lypsisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet, këta e shtyjnë parinë të kuptojë se nuk asht puna për t’u tallë. Dhe shpejt u mblodhën. U mblodhën për ta shkundë dhe për ta rrafë çashtjen seriozisht, në të gjitha pikpamjet. Ndër biseda të gjata konstatuen se kjo krizë asht një “shtazë” që ka fazat e veta. Ndër analet e shtetit kënduen: në vjetin 1… kishin vdekë do njerzë nga uja, në vjetin 12… do lypsa ishin organizue me qëllime të dyshimta, në vjetin 123… e kanë plaçkitë pasunin e shejtë të një monastiri dhe igumeni asht gjetë i varun në një mënyrë qesharake; e kështu ma e ma. Prandaj Paria dëshironte, një herë e përgjithmonë, ta hjeki qafet kët çashtje, ta mbysi “shtazën” me fazat e saj.

Përpjekjet e shumta me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme n’ungjill, në humanitet, n’instinkt, në violencë e në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjen e shtetit X, – arsyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thith e po shterr trutë e Parisë. Posht’ e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit, ra vendimi. U gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjeve! Të dalme dredharake! Vendimi i Paris së shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve të shtetit X, si të vorfënve ashtu edhe të pasunve – të vorfnit mos me vjedhë e mos me vue në dajak të pasunit për një krodhë buke, e të pasunit me pas mëshirë për të vorfnit e me ua bamë një hise të vogël. Kur u ba ky vendim. Paria shtrydhte faculetat e mëndafshta, nga të cilat pikonte djersa e ballit të tyne pik… pik… pik…

Por ishin të kënaqun. N’urim e sipër, shtërngojshin dorën shoqishojt dhe u shkrijshin në ndjenjën e sadisfaksionit moral. Ai vendim e vlente kët mund. Për një kohë të shkurtë shndrroi faqen shteti X. Arti i frymzuem dhe i punuem mbas reçetave të Parisë, shndërroi shtetin në një muzeum artistik. Ishte triumf i reçetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u mrrinte dalngadalë por me siguri. Kur shndrroi faqen Shteti, zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u ba prap pëllumb. Sidomos shumë kish bam për çashtje skulptura. Veprat, që paraftyrojnë të gjithë dashninat e botës, u gjindshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidhshin lypsat për t’organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç’ndryshim ideal! Tash lypsat, të zbemë nga uja, me supa të mprehtë e kërçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentave, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi.

Aty rrijnë gjith ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrrat e monumentave dhe andrrojnë begatinë shpirtnore. E kur zbardh mëngjesi, një nga një, porsi Sharli Shalpini tragjiko-komik, çohen nga gjini i monumenteve, hapin gojën, shtrijnë duert e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith ditën në inerci të plogët. As nuk hajnë, as nuk pijnë: ushqim’ i tyne asht bukuria e monumentave. Rrijnë me sy të ngulun në ndoj pjesë të monumentit dhe kënaqen. Disa prej tyne dikur tregtarë të mbdhaj e tash në bankrot, që dijnë të lexojnë, lypin ose në dorë të ngurtë të monumentit ose në gju ose në grykë të ndoj nanës monumentale, dhe prej andej, dikur tregtarë e tash lypsa, si zhreca të fanatizuem, lexojnë me za të naltë romanet që s’ka rrahë ende shtypi. Dhe ata nuk dëshrojnë ma pozitën që kishin përpara. Zhelet e tyne u ngjajnë ma të bukura se veshjet e dikurta të tyne të kushtueshme.

Përgjithsisht, ndjenjat e tyne janë bamë si ndjenjat e një fëmis së bukur, faq’ e bark të plotë, të paraftyruem në monument. Vdesin lypsat nga uja, nga të ftohtit, por nuk bëzajnë. Kalojnë përpara tyne, në parakalim, zotni e zonja me stoli t’arta, me unaza brilanti, topazi, zmaraldi, rubini, të nji çmimi prralluer, e lypsat kënaqen me ndjenjën e bukuris tue i shikue, ndërsa të pasunit dalngadalë vazhdojnë me hapa teatrale në duken impozante. Dredhi! Poshtni! Ndjenjat e ngurta të të pasunve mbeten pa prekë, nsa ndjenjat e lypsave u banë pambuk. Paria e shtetit X mendonte se edhe të pasunit po djerrin kohë me dokla artistike; nuk i shkonte në mend rivaliteti në mes të të pasunve, përmbysja e shoqi-shojtë – gja që okupon të tanë trunin e tyne, e arsyeja pse të pasunit nuk çajnë kryet për art.

Kështu lypsat nuk u kërcnohen të pasunve, e keta pa frigë, fryhen si bibonat me thalba arrash dhe shkëlqejnë si lustri i këpucës. Fryhen të pasunit, barku i tyne lodërtinë, por me pelsitë – jo! E lypsat vdesin, vdesin dita me ditë, por me u shfarosë – jo! Dersa një ditë, në podium të një monumenti që paraftyron gruan me shtatzanë, një lyps e një lypse lindin një djalë. (Ma vonë legjenda thoshte se u lind nga monumenti me shtatzanë). Dhe ky djalë, kur u rrit, u ba i marrë për njerzit e klasës së vet. E mbajshin për të çmendun, se nuk dijti me e thanë asnji lavd për monumentat e shumta; por gjithmonë, kur ishte fjala për art, rrudhte ftyrën e kafshonte buzën me dhambë.

E vërteta asht se mendimet e tij ishin t’errta. Një qëllim i msheftë në mbrendin e tij priste të shpallet me gjith fuqitë zhgatrruese. Dhe një mëngjes nuk zbardhën ma monumentat… ose zbardhën, por të thyem, të coptuem, të grimcuem. Duer, kambë, krena, hundë, gjoksa, barqe, të gjitha gurit, mbasi kishin fluturue n’ajr, kishin gjetë qetsi në tokë dhe kishin varrosë një tufë… (jo lule!) lypsa, dhe një milion … (jo buuj!) berre që kullosin nëpër këmisha të ndyta. Te gërmadhat e monumentit të dashnisë vllaznore, vdiste djaloshi zhgatrrimtar. E kish mrrijtë lynchi lypsave, të cilët, posa u shembën monumentat, u lëshuan si ujqit me brinjë të thamë nga uja”. Ah, Migjeni, Migjeni! Shkrimtari modern shqiptar.

Pa dyshim shkrimtari më konceptual. Po të kishte një njësi matëse të konceptualitetit, Migjeni do ta kishte kuotën më të lartën, më të epërmen për ne shqiptarët provincialë dhe të demonizuar nga politikat klienteliste, torturuese, fatale. Utopia negative migjeniane është shkruar 12 vjet përpara utopisë negative “Viti 1984” të George Orwell-it. Dhe sa shkrimtar i vetmuar, një kod ende i pazbërthyer. Sa i pamposhtur! E kanë hequr nga tekstet shkollore, i kanë thyer pllakën e varrit, e urrejnë. Por ai e ka fituar përfundimisht betejën e tij. Betejë konceptuale! Prometeike! Projekti i dyfishtë i Migjenit është emancipimi i letërsisë dhe emancipimi i shoqërisë. Kjo u takon të gjithëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: