Turqia dhe udhëheqësit evropianë kanë arritur një marrëveshje për të kontrolluar kalimin e emigrantëve në Evropë. Turqia do të marrë miliardë euro, ndërsa do të ketë edhe lëshime politike që të forcojë kufirin. Në këmbim BE i kërkon të frenojë fluksin e emigrantëve drejt Europës.

Kryeministri Ahmet Davutoglu tha se kjo ishte një “ditë historik” në marrëdhëniet e Turqisë me BE-në. Sipas marrëveshjes, shtetasit turq mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen të Evropës, e cila lejon lëvizjen e lirë për shumë vende evropiane, deri në tetor 2016.

3 miliardë euro do jepen për të ndihmuar refugjatët sirianë në Turqi. Ankaraja ka shpenzuar tashmë 8 miliardë dollarë për të ndihmuar ata që kanë nevojë, tha kryeministri Davutoglu.

“Ne jemi duke paguar çmimin e dështimit të sistemit të OKB-së për të mos zgjidhur problemin e krizës siriane në fazat e hershme të krizës,” tha ai pas takimit, duke iu referuar vendit të tij dhe të BE-së.

Pas bisedimeve, Jean Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, tha se marrëveshja “nuk do të çojë në një situatë ku ne të harrojmë dallimet kryesore dhe divergjencat që kemi me Turqinë, për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit”

Më shumë se 720.000 emigrantë kanë mbërritur në Evropë në brigjet greke këtë vit, Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se më së shumti vijnë nga Turqia. Shumë prej tyre i ikin konfliktit në Siri, Irak dhe Afganistan, dhe kanë jetuar nëpër kampe në Turqi para udhëtimit të tyre.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb