Qipro është shprehur kundër marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë për krizën e refugjatëve, një marrëveshje e cila mund të vihet në rrezik.

Nikosia ka kërcënuar se do të vërë veton ndaj çdo marrëveshje që ajo nuk do të bjerë dakord. Presidenti Nicos Anastasiades, paralajmëroi se nuk mund të bjerë dakord për të plotësuar dëshirat e Turqisë deri në momentin që, sipas tij, nuk do t’i plotësojë detyrimet ndaj ishullit.

Finalizimi i paktit BE-Turqi duhet të ketë vendimin unanim të bllokut, por që Turqia të strehojë refugjatët, në këmbim kërkon benefite nga unioni.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili kryesoi takimin, ka theksuar se vendet e mëdha të BE-së  nuk mund të pranojnë një zgjidhje, e cila do te dëmtojë në mënyrë të njëanshme Qipron. E po ashtu, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, këmbënguli se Turqia po kërkon shumë dhe se ai vetë nuk e pranon një negocim që vjen në formën e shantazhit.

Qeveria e Ankarasë ka pranuar  të “vetësakrifikohet” , por për të përfitimet që duhet të marrë si shpërblim janë: përshpejtimi i  anëtarësimit në BE, po ashtu heqja e vizave për turqit në zonën Shengen, duke i finalizuar kërkesat e saj  me një tjetër fond prej 3 miliardë eurosh nga unioni, për të përballuar kostot e refugjatëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb