ATHINE-Lorenc Toska u kthye nga Greqia në fshatin e tij në qendër të Shqipërisë me duar dhe xhepa bosh. Ai po punonte në vendin fqinj për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen e tij në Shqipëri, por kriza në vendin fqinj ia rrënoi ëndrrat.

“U ktheva duarbosh, me një valixhe të vogël me rroba,” thotë 25-vjeçari, ndërsa përqafon djalin e vogël.

Gjatë vizitës së fundit në janar, Toska i bleu atij një lodër të vogël. Por këtë herë nuk e përballonte asnjë dhuratë.

Më shumë se 600 mijë shqiptarë u arratisën nga varfëria në vendin e tyre, në kërkim të fatit në Greqi, shumica e tyre ilegalisht. Por që prej thellimit të krizës, rreth 180 mijë shqiptarë janë kthyer në Shqipëri, thonë zyrtarët.

Toska, të ardhurat e të cilit ishin i vetmi burim për mbijetesën e gruas, dy fëmijëve, prindërve dhe gjyshes, u dërgoi atyre vetëm 200 euro që nga muaji mars. Në vend që të paguhej për atë që kishte bërë, pronari i tij grek e urdhëroi të largohej nga Greqia, duke e kërcënuar se do informonte policinë për statusin e tij ilegal.

“Punoja në fushat e pambukut gjatë tre viteve, shpesh deri në 14 orë në ditë. Shefi im më premtoi se do na paguante gjithçka, por për shkak të krizës na u desh të largoheshim,” thotë Toska.

Në fshatin e tij, Suk, me 1800 banorë, shumë familje jetojnë me remitancat nga fëmijët e tyre dhe të afërmit që punojnë në Greqi.

Zymbyle Kodheli merrte rreth 1000 euro në vit nga i biri. Paratë i shërbenin gruas, të shoqit të sëmurë dhe dy vajzave. Por situata ndryshoi në mënyrë drastike.

“Tani ai është i papunë dhe thuajse nuk na sjell asgjë. Ai nisi një jetë të mirë në Greqi, por tani ëndrrat e tij dhe tonat janë tronditur,” thotë ajo.

Megjithatë Kodheli thotë se nuk beson se djali i saj dhe familja e tij do kthehen në fshatin shqiptar, ku ajo thotë se “gjërat kanë ngrirë në kohë”.

Në dyqanin e fshatit, lista e borxheve bëhet çdo ditë e më e madhe.

“Të paktën 30 familje kanë të afërm që punojnë në Greqi, por paratë nuk vijnë më dhe ata nuk më paguajnë dot,” thotë Altini, pronari i dyqanit.

Njoftimi i Greqisë për kontrollet e kapitaleve bëri që bankat të mbyllen dhe “ky ishte një justifikim për pronarët grekë që të mos paguajnë emigrantët shqiptarë”, shton ai.

Rreth 160 mijë familje shqiptare, që mbijetojnë me remitanca, janë goditur rëndë nga kriza në Greqi dhe stanjacioni ekonomik në Itali.
Dy vendet e BE kanë shumë emigrantë shqiptarë. Të paktën 26 përqind e këtyre familjeve rrezikojnë të bien poshtë vijës së varfërisë, sipas përllogaritjeve.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se 12 përqind e popullsisë në vend jetojnë poshtë vijës së varfërisë, që do të thotë me më pak se 2 dollarë në ditë.

Në vitin 2007, dërgesat e migrantëve arritën në 951.7 milionë ose 14 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), përpara se të binte në 543.7 milionë viton e kaluar ose thënë ndryshe 5.4 përqind e GDP.

Kriza greke pati gjithashtu dhe disa efekte të papritura.

Në Qesarat, një fshat i vogël në jug të Shqipërisë, në vend të merrte para nga dy djemtë që ndodheshin në Athinë, Nesto Papa, 86 vjec mori lajmin se ata janë të papunë.

“Ndoqëm lajmet në radio, dhe u thamë, kthehuni. Por jeta këtu është dhe më keq”, u shpreh nëna e tyre Krisanthi.

(d.b/Economictimes/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb