Nga: ANILA JOLE*
GREQI- Në Greqi bankat dhe bursa e Athinës nuk janë hapur sot, dhe siç parlajmërojnë mediat greke ato do vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri në datën 7 korrik. Vendimi është marrë nga komisioni për stabilitet financiar i qeverisë. Ky vendim është përpjekje për të shmangur kolapsin financiar në vend, pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore Europiane se nuk do të shtojë fondin e emergjencave për bankat greke.

Ndërkohë bëhet e ditur se tërheqja nga bankomatet nuk mund të kalojë 60 eurot në ditë për një person. Mediat sqarojnë se pensionet do kreditohen në llogaritë bankare dhe pagat do të jepen nëse punëdhënësi paguan elektronikisht. Ndërkaq kryeministri grek, Alexis Tsipras iu është drejtuar qytetarëve përmes një deklarate, ku iu ka kërkuar të ruajnë qetësinë, dhe i siguroi për depozitat e tyre bankare. Më herët Parlamenti grek miratoi kërkesën e Ciprasit për referendum sa iu përket propozimeve të kreditorëve ndërkombëtarë, referendum që do të zhvillohet më 5 korrik.

Banka Qendrore Evropiane deklaroi se do të mbante nivelin aktual të financimit të bankave greke duke lënë të hapur mundësinë për një zgjidhje politike për mënjanimin e falimentimit të ekonomisë greke dhe të daljes së saj nga zona euro (Grexit).

Në këto kushte, media radiofonike greke bën edhe sarkazmë kur shprehet se “Greqia do të bëhet si Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë”. Me ironi në media citohet Enver Hoxha që deklaroi: “Edhe bar do të hamë dhe nuk do të dorëzohemi e nuk do t’ia shtrijmë dorën askujt”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb